Nuk është sukses/ Ambasadore Kim, sot është dita të kërkosh falje jo vetëm për Donald Lu

Ndër të parët që reaguan pas dënimit të ish-ministrit Saimir Tahiri ishte ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Në valën e reagimeve, që më shumë synojnë të marrin merita sesa të shprehin të vërtetën, Kim tha se askush nuk është mbi ligjin.

“Jo më pandëshkueshmëri,” tha Kim në një mesazh të shkurtër.

Të flasësh për pandëshkueshmëri në këtë ditë, duket si një shaka e stërmadhe.

Historia e Saimir Tahirit nuk është as një rrufe në qiell të pastër dhe as nuk mund të shkëputet kurrsesi nga qeverisja e Edi Ramës, mbi të cilin bie barra kryesore për atë që ndodhi që kur ata morën pushtetin në vitin 2013.

Njësoj si në Honduras, duke mashtruar se po luftojnë drogën, ata ia ‘dolën’ që brenda pak vitesh, për të mos thënë muajsh, ta kthejnë Shqipërinë në të parin narko-shtet në Europë. Këtë etiketim nuk ia kemi vënë ne, por mediat perëndimore që po raportonin vazhdimisht se si Shqipëria po mbushej me kanabis.

Të vetmit që nuk po flisnin, madje merrnin pjesë në sfilatat orgazmike të sukseseve të Edi Ramës ndaj drogës, ishin diplomatët e huaj në Tiranë.

Kulmi arriti kur drejtësia italiane u vu në lëvizje për Saimir Tahirin dhe më pas nisën edhe hapat e parë nga drejtësia shqiptare. Ambasadori amerikan në Tiranë në atë kohë, Donald Lu, çuditi mbarë vendin kur mblodhi një grup të rinjsh dhe u foli për procesin ndaj Saimir Tahirit. Ai e krahasoi atë me gjyqet që bëheshin në komunizëm.

Aq shumë foli Donald Lu për Spaçin, Burrelin dhe Qafë Barin teksa e ndërlidhte me çështjen e Saimir Tahirit, sa kushdo që ka vuajtur në këto kampe dënimi, do ndjehej më së paku i tronditur.

Tahiri iku, por ajo që la pas ai, dhe që u vazhdua në mënyrë të pamëshirshme nga qeveria e Edi Ramës, do ketë pasoja të parikuperueshme. Kanabisi ia la vendin heroinës, heroina kokainës dhe Shqipëria u kthye në një qendër operacionale të trafiqeve ndërkombëtare. Në Bruksel e dinë, por nuk e thonë asnjëherë hapur: Shqipëria nuk po përparon drejt integrimit për shkak se është rrezik për sigurinë e vendeve të Europës. Krimi, droga dhe korrupsioni që përhapen nga qendra operacionale në Shqipëri drejt vendeve të tjera janë arsyeja kryesore se përse jemi etiketuar si narko-shtet.

Të vetmit që vazhdojnë të mos flasin për këtë çështje janë diplomatët e huaj, me në krye ambasadoren e SHBA. Madje përdorin grimca të tilla si kjo e Saimir Tahirit për të folur për sukses.

Çdokush që ka reaguar në median sociale dhe kudo, e ka kuptuar se Saimir Tahiri u sakrifikua nga Edi Rama. Është ai që kontrollon drejtësinë dhe bën lëshimet e nevojshme sa për të bërë që ndërkombëtarët të brohorasin për sukses.

Por ky nuk është aspak sukses. Sot duhej të ishte dita që Yuri Kim të kërkonte falje jo vetëm për deklaratat e Donald Lu, por edhe për drejtësinë e kapur dhe të komanduar nga Edi Rama.

Një pseudoanalist i huaj shkruante para pak ditësh se Foltorja e Sali Berishës po tërheq vëmendjen nga keqqeverisja. Sipas tij, tani është koha që Edi Rama t’i tregojë botës se po lufton korrupsionin.

Topi u ngrit në ajër, Rama e zhyti. Ai po u jep ndërkombëtarëve Saimir Tahirin në një pjatë të artë, që të kenë mundësi të flasin dhe të krenohen. Mjafton vetëm që ai që ka ndërtuar gjithçka të zezë në vend, të mos preket.

Ky nuk është sukses! Ky është dështim.