Letra e Moskës për Tiranën/ Mal Berisha: Jodiplomatike dhe kërcënuese, të kemi kujdes nga influenca ruse

Ish-ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, Mal Berisha, në një intervistë me moderatoren Armela Ferko në Syri TV, ka komentuar letrën e Moskës ndaj Tiranës, për konfliktin në Ukrainë.

Në këtë letër, Moska zyrtare kërkon që Shqipëria të mbajë pozicion ndaj situatës në shtetin ukrainas.

Mal Berisha, në lidhje me këtë letër, shprehet se duket jodiplomatike dhe kërcënuese. Ai shton se duhet pasur kujdes nga influence ruse.

 “Letra e Rusisë ndaj qeverisë shqiptare ishte jodiplomatike dhe shumë kërcënuese. Nëse ka konflikt, nuk është vetëm Ukraina që lufton aty. Në këtë konflikt mund të përfshihen edhe vende të tjera, sidomos tek fqinjët. Mendoj se influenca ruse në Shqipëri ka përfunduar që në kohën e komunizmit. Influenca ruse është në kufi me Kosovën, sa më shumë që fuqizohet Rusia, aq më shumë fuqizohet Serbia. Serbisë i intereson konflikti në Ukrainë. Rusia do që të marrë një Ukrainë me 40 milionë banorë, e Serbia do që të marrë Kosovën, që është çliruar nga shqiptarët e NATO.

Influenca ruse në Shqipëri vjen nga Beogradi, Ballkani i Hapur  është një çështje e diskutueshme shumë, këtu duhet parë hezitimi. Duhet të kemi kujdes nga influenca ruse në Ballkan. Vuçiç thotë se Kosova është e jona, se do e kthejmë, e Rama i thotë vëlla, serbët luajnë me dy porta, me BE-në dhe me Rusinë, që është vëllai i madh. Shqipëria duhet të bashkohet me NATO-n në këtë rast”, deklaroi Mal Berisha.