Bie shumë përkrahja e gjermanëve për Scholzin, përmendet Ukraina

Sipas një ankete të publikuar të enjten nga “Infratest Dimap”, përkrahja për SPD-në e Kancelarit Olaf Scholz të Gjermanisë ka rënë në 22 për qind, ndërsa në vendin e parë tash është CDU-ja e ish-kancelares Merkel, me 27 për qind. Në të njëjtën anketë, përkrahja ndaj tij ra për 17 për qind.

Një faktor që e ka minuar autoritetin e kancelarit në veçanti është sjellja e paraardhësit të tij të fundit të qendrës së majtë në krye të shtetit, Gerhard Schroder, i cili po vazhdon të komentojë për çështjet globale në rolin e tij si drejtor i kompanisë ruse të energjisë, “Rosneft”, shkruan The Guardian.

Scholz-i është kritikuar nga Ukraina dhe vendet tjera të Evropës Lindore për mbajtjen e qëndrimit të vendit të tij kundër transportimit të armëve në rajonet në krizë dhe pasi u duk i ngadalshëm t’i përmendte sanksionet e mundshme, nëse Rusia e pushton Ukrainën.

Këtë javë, kancelari gjerman u përball me kritika të ngjashme edhe në Berlin. “Si është ndjenja, kur aleatët e klasifikojnë qëndrimin e gjermanisë si diçka që nuk mund t’i besohet”, u pyet ai në një intervistë për një televizion gjerman të mërkurën në mbrëmje.

Kur Scholz-i mohoi se është ashtu, gazetari e ndërpreu, duke theksuar se edhe ambasadorja e tij në Uashington kishte paralajmëruar në një dokument të fshehtë: “Gjermani, kemi një problem”.

Përderisa Angela Merkel rrallë shkëlqente si oratorë ose folëse retorike, Scholz-i “duket se po dëshiron që t’ia kalojë asaj në artin e zhdukjes”, shkroi e përjavshmja gjermane, “Der Spiegel”, duke e përshkruar performancën e pasardhësit të saj në javët e fundit si “pothuajse të padukshme dhe që s’dëgjohet”.