E përdori kundër FSHF-së/ Rama shet Veliajn nën presionin e UEFA-s

Edi Rama, të paktën sa për sy e faqe, e ka shitur Erion Veliajn në lidhje me konfliktin për FSHF-në. Nëse kryebashkiaku i Tiranës, natyrisht i urdhëruar nga shefi i tij, u përbetua për pushtimin e ishullit të fundit të mbetur jashtë kontrollit, pas bisedës me Ramën, Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin ka siguruar se ka marrë garancinë për mosndërhyrjen e politikës në zgjedhjet e futbollit.

Rama vetë, në një status, u mjaftua të thotë se kishin rënë dakord me shefin e futbollit europian. Por se për çfarë ranë dakord, mund të kuptohet nga ajo që tha në një intervistë për agjencinë “Associated Press”, Ceferin. Presidenti i UEFA-s shprehu shqetësimin për situatën e krijuar dhe për incidentet që kanë ndodhur gjatë këtij procesi zgjedhor, duke theksuar se “futbolli duhet të vendosë për futbollin” dhe se nuk duhet kurrsesi të ketë ndërhyrje politike në këtë proces.

Gjithashtu, Ceferin tha se nëse nuk do të ketë ndërhyrje politike nuk do të rrezikohet zhvillimi i finales së parë historike të UEFA Europa Conference League në Tiranë. Pra duket se kërcënimi i organizmit europian të futbollit për të hequr finalen në rast se shteti shqiptar vijon me budallallëkun dhe arrogancën tip Lali, ka pasur efekt. Mes kryeministrit dhe shefit të UEFA-s ka pasur një dakordësi për ndërprerjen e luftës dhe ruajtjen e finales.

“Takimi i sotëm s’mund të ishte më i mirë për qëllimin e përbashkët, organizimin e finales”, komentoi Rama. Dhe kushti i qartë që kjo të arrihet kuptohet lehtësisht nga fjalët e Ceferin: “Me Kryeministrin ramë dakord se nuk do të ketë ndërhyrje politike në zgjedhje, që futbolli do të vendosë për futbollin dhe kjo është ajo që duam. Nëse UEFA nuk ndërhyn, askush tjetër nuk duhet të ndërhyjë në këtë proces. Nëse gjërat do të jenë kështu dhe unë kam shumë besim në fjalët e Kryeministrit, atëherë zhvillimi i finales së Conference League këtu është i sigurt”, tha ai.

Po a do ta justifikojë Rama besimin e shefit të UEFA? Askush nuk mund të vëra bast për këtë. Nën emrin e tij u aktivizua Veliaj, disa bashki socialiste, kontrollet tatimore, madje dhe organet e drejtësisë. Por një gjë është e sigurtë, edhe nëse kryeministri vazhdon të hedhë gurin e të fshehë dorën, duke pranuar qëndrimin: “Politika s’ka punë të merret me futbollin”, ai ka bërë pluhur dhe hi gjithë sfondin propagandistik mbi të cilin Veliaj ngriti aksionin e tij të dhunshëm dhe ordiner./LAPSI