Dosja/ Si ishin vendosur policët e burgut në dispozicion të Arben Grorit

Operacioni “Trinomi” zbuloi dhe emrat e 6 të dënuarve, mes tyre dhe me burg për jetë, të cilët kishin arritur të krijonin lidhjet me punonjës policie në burgun ku ata vuanin dënimin.

Një prej tyre ishte Arben Grori, i dënuar me burg për jetë, i cili vuan dënimin në burgun e Peqinit.

Nga dosja e operacionit të koduar "Trinomi", që çoi në arrestimin e 26 personave dhe e siguruar nga Ora News, mësohet se një punonjës policie në Institucionin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale Peqin i jepte informata Arben Grorit për kontrollin e dhomave.

Gjithashtu "Arben Grori mbante celular dhe me telefonin e tij flisnin dhe persona të tjerë, të cilët ishi të dënuar dhe vuanin dënimin në të njëjtin sektor të Peqinit", thuhet në dosjen e siguruar nga Ora News.

Ndërkohë një tjetër punonjës policie (R.D) sipas prokurorisë "komunikonte me Arben Grorin dhe familjarët e tij dhe më pas kryente kontrollin e automjeteve që këta të fundit kanë në përdorim me qëllim çaktivizimin e pajisjeve përgjuese dhe vëzhguese duke përdorur mjetet e punës".

Po kështu Arben Grori nga burgu i Peqinit komunikonte me telefon celular me të dënuarin Aleksandër Llanaj, i cili vuan dënimin në burgun e Drenovës në Korçë.

Po kush është Arben Grori?

Arben Grori është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1999 nga Gjykata e Pestë Penale e Milanos në Itali, vendim që u njoh dhe u la në fuqi më pas dhe nga Gjykata e Apelit, po në Milano. Grori u gjet fajtor për vrasjen e Naim Zyberit, në një spital në Milano, ku ndodhej i shtruar. Grori e bënte fajtor Naim Zyberin për vrasjen e të vëllait, Artur Grorit. Vendimi i fajësisë, dhënë nga drejtësia italiane ndaj Grorit, është njohur më pas nga gjykatat shqiptare dhe prej shumë vitesh, ai ndodhet prapa hekurave.