Putin në Kinë për Lojërat Olimpike Dimërore, bisedime me Xi mes tensioneve në Ukrainë

Pekin - Presidenti rus Vladimir Putin të premten mbërriti në Pekin për hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore dhe për bisedime me homologun e tij kinez Xi Jinping, ndërsa të dy udhëheqësit synojnë ta projektojnë veten si një kundërpeshë ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Vizita e liderit rus vjen në kohën e rritjes së mbështetjes kineze për Moskën në mosmarrëveshjen e saj me Ukrainën që kërcënon të shpërthejë në konflikt të armatosur.

Prania e Putinit e bën atë të ftuarin e profilit më të lartë në këtë aktivitet pas vendimit të SHBA-së, Britanisë dhe të tjerëve për të mos dërguar zyrtarë në shenjë proteste për shkeljet e të drejtave të njeriut nga Kina dhe trajtimin që u bën ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane.

Mbërritja e Putinit nga Moska herët pasdite të së premtes u konfirmua nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA. Të dy udhëheqësit do të zhvillojnë bisedime dhe më pas do të kenë një drekë privatisht së bashku.

Diskutimet shënojnë takimin e tyre të parë personal që nga viti 2019 dhe vijnë teksa Kina dhe Rusia përafojnë gjithnjë e më shumë politikat e tyre të jashtme dypalëshe edhe në organizmat botërorë si Kombet e Bashkuara, në kundërshtim me bllokun e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.