VIDEO-SYRI TV/ 100 punonjës fasonerie në protestë, ministrja: Nisni punën, pastaj flasin për kontratën

Rreth 100 punonjës të një biznesi fason vijuan protestën për të dytën ditë radhazi në Bilisht, pavarësisht se në takim u shkoi ministrja e Financave Delina Ibrahimaj. Kjo e fundit deklaroi se do të merren masa për hartimin e kontratave të reja të punës mes punonjësve dhe biznesit, por nuk i garantoi punëtorët se puna e tyre do të vlerësohet me pagë minimale dhe jo me normë, siç ndodh rëndom në këtë sektor.

Nga SYRI TV

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, nuk u dha zgjidhje konkrete 100 punonjësve të një fasonerie në qytetin e Bilishtit, të cilët kërkojnë të paguhen me pagë minimale dhe jo me normë.

Gjatë një takimi që ajo pati me punonjësit e një fasonerie që prej dy ditësh janë ngritur në protestë, Ibrahimaj u shfaq më shumë si mbrojtëse e interesave të biznesit sesa të punonjësve.

Delina Ibrahimaj u justifikua përballë një prej kërkesave të punonjësve, asaj për pagesën e punës në fundjava, duke fajësuar vetë punonjësit.

Por pavarësisht se denoncimin, punëtorët ia deklaruan live, përsëri ministrja hezitoi të deklaronte nëse do të merren masa për biznesin në fjalë, por dhe të tjera kompani fasone që nuk respektojnë kontratat e punës.

Ministrja ofroi garanci për zgjidhjen e problemeve në sektorin fason, por kjo garanci duket se nuk u mor parasysh nga 100 punonjës në Bilisht, të cilët nuk rifilluan punën as sot.