Rritja e çmimit të karburantit, Ilir Ciko: Është për të ardhur keq, e zotërojmë naftën por e dërgojmë drejt eksportit

Nafta, benzina dhe gazi prej 2 ditësh kanë pësuar sërish një rritje me 9 lekë për litër në tregun me pakicë duke rënduar më tej ekonominë e familjeve shqiptare.

Nafta po i afrohet çmimit 200 lekë për litër, në disa pika të karburanteve.

Aktualisht ajo shitet me 193 lekë, por rritje ka dhe për benzinën e cila ka shënuar 195 lekë për litër, pa përjashtuar as gazin që shitet 94 lekë për litër.

Gjithsesi, çmimet vendase kanë qenë shumë të larta, jo vetëm krahasuar me vendet fqinjë, por edhe me vende me nivel shumë herë më të lartë jetese se Shqipëria.

Për të folur më shumë në lidhje me këtë situatë e cila rëndon drejtpërdrejtë xhepat e qytetarëve ishte i ftuar në 'Kafe Shqeto' në Syri Tv, eksperti i ekonomisë Ilir Ciko.

I pyetur nga moderatori Flavio se pse reflektohet kaq shpejt rritja e çmimit në bursë, ai sqaroi:

"Është e vërtetë që ka një rritje të çmimit të naftës në të gjitha tregjet ndërkombëtare, në Shqipëri jemi në nivelin 200 lekë për litër por në Paris ka kaluar çmimin 2 euro për litër.

Ky ndryshim i çmimeve vjen drejtëpërdrejt me situatën gjeopolitike dhe me tensionet që janë në zonën e Ukrainës.

Një tjetër faktor është dhe niveli i ulët i investimeve në industrinë e naftës, dhe padyshim që kjo pasqyrohet edhe tek ne, sepse për fat të keq karburanti në vendin tonë vjen nga importi.

Po të shkoni në fqinjët tanë në Mal të Zi vihet re se çdo pikë karburanti është e unifikuar, kemi çmimin e njëjtë në çdo karburant pasi ka një ndërhyrje nga shteti në treg.

Në shqipëri jemi në një treg që është i liberalizuar.

Po të bëjmë një karahasim dhe sot, me Malin e Zi është shumë më i ulët se këtu çfarë bën që të gjithë ato që udhëtojnë drejt Malit të Zi të mos harrojnë të mbushin dhe makinën me karburant."

Ndër të tjera, Ciko shtoi se është për të ardhur keq që zotërojmë naftën dhe siç e prodhojmë e dërgojmë jashtë drejt eksportit dhe e njëjta gjë ndodh dhe me mineralet dhe fasoneritë.

"Po të shikoni strukturen e eksporteve lë shumë për të dëshiruar, sepse është për të ardhur keq që e zotërojmë naftën dhe siç e e prodhojmë e dërgojmë drejt eksportit, e njëjta gjë ndodh dhe me mineralet por edhe me fasoneritë”.

Për më shumë ndiqni videon më poshtë: