Vdekja e 12 emigrantëve në kufi nga i ftohti/ Greqia i përgjigjet Turqisë

Dymbëdhjetë emigrantë u gjetën të vdekur nga acari në një qytezë të vogël turke, afër kufirit me Greqinë, thanë zyrtarët të mërkurën, një javë pasi një stuhi e rrallë dimri solli borë të madhe në të dyja vendet. Rasti tragjik, i lajmëruar fillimisht nga një ministër turk, e nxiti reagimin e një ministri grek.

Ministri i Punëve të Brendshme i Turqisë tha se dymbëdhjetë emigrantët u ngrinë për vdekje në Ipsala, qytezë kufitare që përdoret shpesh nga emigrantët që synojnë të hyjnë në territorin e Bashkimit Evropian, shkruan CNN.

 Ministri turk pretendoi se grupi i emigrantëve ishte kthyer nga zyrtarët kufitarë grekë dhe se atyre u ishin marrë këpucët dhe rrobat. Ai publikoi fotografi ku shihen trupat e disa njerëzve të shtrirë në tokë.

Zyrtari i lartë turk i quajti banditë njësitë kufitare e patrulluese greke dhe tha se Bashkimi Evropian është “i pashërueshëm, i dobët dhe pa ndjenja njerëzore”.

Megjithatë, ministri grek i Imigracionit, Notis Mitarachi, i mohoi pretendimet e ministrit grek për shkelje. “Vdekja e 12 emigrantëve në kufirin turk afër Ipsala-s është tragjedi. Por e vërteta prapa këtij incidenti nuk ngjan me propagandën e rreme, të shtyrë nga homologu im”, tha ai.

Sipas ministrit grek, emigrantët kurrë nuk kishin arritur në kufi. “Para se të shtyjë pretendime të pabaza, Turqia duhet t’i zbatojë detyrimet e saj dhe të punojë për t’i parandaluar këto udhëtime të rrezikshme”, shtoi ai.