Theu regjimin Bis 41/ Llanajn e tradhtoi telefonata me të dashurën

Zbardhen detaje nga dosja e operacionit “Trinomi”.

Sipas Ora News, në dosje zbulohet se qelitë e Aleksandër Llanaj, Delin Hajdarit dhe Leo Osmanit në burgun e Drenovës, Korçë nuk ushtroheshin kontrolle periodike duke lejuar që në këtë mënyrë në qelitë e tyre të lejoheshin alkool apo telefona celularë me të cilat kryheshin komunikime me të dënuar në burgjet e tjera apo dhe me persona jashtë burgut.

Deri në 2 dhjetor 2020, Llanaj, i cili theu regjimin e rreptë të izolimit, i njohur si Bis 41, kishte përdorur tre numra me të cilët komunikonte me Arben Grorin, i dënuar në burgun e Peqinit; të dashurën e tij dhe me një person me të cilin vinte baste vetë apo dhe në emër të shokëve.

Si u ra në gjurmët e Llanajt?

E dashura, emri i të cilës nis me inicialin A. ishte personi me të cilin Aleksandër Llanaj komunikonte më shpesh. Prandaj për të rënë në gjurmët e tij, policia mori në përgjim numrin e telefonit të të dashurës.  U mësua se Llanaj përdorte tre numra telefoni që mbaronin me… 528, …607,…315.

Në dosjen e siguruar nga Ora News mësohet se  Aleksandër Llanaj me dy të dënuar të tjerë në burgun e Drenovës, Delin Hajdari dhe Leo Osmani përmes telefonit vendosnin baste për vete dhe të dënuarit e tjerë Personi që i lidhte ishte me pseudonimin Sanço. Sanço kishte në përdorim një lokal në Vlorë ku organizoheshin lojra fati e bixhozi gjithashtu dhe loto sporti.

Nga përgjimet rezultoi se përmes telefonit Llanaj kryente biseda telefonike me Arben Grorin që vuante dënimin në Peqin. Sipas dosjes, për të future telefonat celularë në burgun e Drenovës, Llanajn e ndihmonte një ish-polic burgu kundrejt një pagese.

Aleksander Llanaj është i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Çoles në Vlorë.