FOTO- EMRI/ Këngëtari i njohur Vinz tentoi të vrasë pronarin e hotelit

Zbardhen detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në rrugën ‘3 vëllezërit Kondi’, pranë Qytetit Studenti.

Ervin Selita i njohur me emrin ‘Vinz’, një këngëtar reper, i njohur në rrjetet sociale, është arrestuar pasditen e djeshme, pasi nxori armën për të vrarë pronarin e një hoteli, i cili u kishte kërkuar karta e identitetit për t'i lënë të futen në dhomë.

Selita është reper, pjesë e grupit shqiptar në Londër ‘Hellbanianz’. Ai njihet me artistikisht me emrin ‘Vinz’.

Selita ka lindur në Burrel, ndërsa jeton mes Anglisë dhe Shqipërisë. Karrierën e nisi atje, në bashkëpunim me të tjerë shqiptarë dhe reperë të huaj.

Vinz ka në repertorin e tij dhjetëra këngë, nga ku spikatin ‘My Shqipez’; ‘Nuk ka Dashni’; dhe kënga e tij më e fundit, një bashkëpunim me Stealth, që është publikuar 2 shkurtin e 2022, e titullohet ‘Poppin Smoke’.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Falë ndërhyrjes në kohë nga Policia parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me armë zjarri.

Vihet në pranga një 30-vjeçar që tentoi të vriste me armë zjarri pronarin e një hoteli. Në pranga edhe një 30-vjeçare, për moskallëzim krimi, e cila shoqëronte 30-vjeçarin në momentin e konfliktit.

Gjithashtu, në kërkim për moskallëzim krimi dhe fshehje të provave, edhe dy shokët e 30-vjecarit, të cilët i erdhën në ndihmë atij, gjatë konfliktit. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas marrjes së njoftimit për një konflikt me armë në ambientet e një hoteli, në rrugën ‘Tre Vëllezërit Kondi’, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar ‘Parandalimi’, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

E. S., 30 vjeç, për veprat penale ‘Vrasja me dashje’ mbetur në tentativë, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’, ‘Shkatërrimi i pronës’ dhe ‘Prishja e qetësisë publike’;

E. D., 30 vjeçe, e cila shoqëronte shtetasin E. S., për veprën penale ‘Moskallëzimi i krimit’.

Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasve: E. M., 26 vjeç, për veprat penale ‘Përkrahja e autorit të krimit’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe  Xh. S., 23 vjeç, për veprën penale ‘Moskallëzimi i krimit’. Vijon puna intensive për kapjen e tyre. 

Shtetasi E. S., gjatë konfliktit në ambientet e hotelit, ka tentuar të vrasë me armë zjarri njërin nga pronarët e hotelit, shtetasin Z. Xh. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.