Kushtetuesja vendos sot për ‘fatin’ e Presidentit, seanca pritet të nisë në orën 10:00

Gjykata Kushtetuese do të mblidhet sërish sot, 3 shkurt për të shqyrtuar shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Burime bëjnë me dije se seanca do të nisë në orën 10:00 dhe do të shqyrtojë kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e kreut të Shtetit me argumentin se ka shkelur kushtetutën në zgjedhjet e kaluara të 25 prillit.

Seanca e kaluar, e cila u mbajt më 1 shkurt u shoqërua me debate të shumta dhe zgjati për gati 10 orë.

Në seancën e shkuar Presidenca kërkoi përjashtimin e gjyqtarëve që sipas tyre nuk plotësojnë kushtet ligjore për të qenë pjesë e procesit.

Kërkesat e paraqitura nga Presidenca

Kërkesa e parë - Presidenti kërkoi dorëheqjen e tre anëtarëve të gjykatës Kushtetuese. Presidenti kërkoi dorëheqjen e gjyqtarëve Vitore Tusha, Përparim Kalo dhe Fjona Papajorgji. Kërkesën presidenca e argumenton se u ka përfunduar mandati dhe në këtë mënyrë cënon paanësinë e vendimit. 

Kërkesa e dytë -  Presidenca kërkoi dorëheqjen e 7 anëtarëve të gjykatës nga shqyrtimi pasi ka konflikt interesi për disa prej tyre.

Kërkesa 3 - Përjashtimi i përfaqësuesve të Kuvendit. 

Përfaqësuesja tjetër ligjore e Presidentit, Katrina Treska kërkoi nga gjykata të mos legjitimojë përfaqësuesit e Kuvendit. Ajo tha se legjislatës së 9-të i ka përfunduar mandati më 9 shtator dhe Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vullnet paraprak të Kuvendit të ri. Duke ngritur pyetjen se me çfarë akti janë përfaqësuesit e Kuvendit të pranishëm në këtë sallë.

Të gjitha kërkesat e Presidentit u rrëzuan nga Kushtetuesja.