Kriza në Ukrainë: Biden do të dërgojë më shumë trupa amerikane në Evropën Lindore

Joe Biden do të vendosë më shumë se 3,000 trupa amerikane në Gjermani, Poloni dhe Rumani, ndërsa Rusia vazhdon të mbledhë forcat e saj rreth Ukrainës dhe pasi bisedimet midis Uashingtonit dhe Moskës nuk arritën të lehtësojnë tensionet.

SHBA po dërgon 1,700 trupa nga Divizioni i 82-të Ajror në Poloni, një njësi prej rreth 300 trupash nga Korpusi i 18-të Ajror do të zhvendoset në Gjermani dhe një njësi e blinduar prej 1,000 trupash po transferohet nga Gjermania në Rumani.

“Kjo forcë është krijuar për të penguar agresionin dhe për të përmirësuar aftësitë tona mbrojtëse në shtetet aleate të vijës së parë. Ne presim që ata të nisen në ditët në vijim”, tha John Kirby, zëdhënësi i Pentagonit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, “vazhdon të shtojë forca, armë të kombinuara, mjete ofensive dhe vetëm gjatë 24 orëve të fundit ai vazhdon të shtojë në perëndim të Rusisë dhe Bjellorusi, në Mesdhe dhe Atlantikun e Veriut”, shtoi Kirby. “Ai nuk ka treguar asnjë shenjë se është i interesuar apo i gatshëm për të ulur tensionet.”

Zëdhënësi i Pentagonit tha se dislokimet ishin të ndara nga 8,500 trupat në SHBA që ishin vënë në gatishmëri të shtuar për të qenë gati. Këto forca kryesisht janë të destinuara për të qenë pjesë e Forcave të Reagimit të NATO-s (NRF) që synon të forcojë krahun lindor të aleancës përballë një sulmi të mundshëm rus në Ukrainë.

Kirby tha se trupat që do të vendoseshin në ditët në vijim, po dërgoheshin sipas marrëveshjeve dypalëshe me vendet pritëse.

NATO deri më tani nuk ka marrë vendimin për të aktivizuar Forcat e Reagimit, çka do të kërkonte marrëveshje me 30 shtetet e saj anëtare, përfshirë Hungarinë, kryeministri i së cilës, Viktor Orbán, e vizitoi Moskën të martën për të ofruar mbështetje për Putinin.

Diplomatët evropianë, megjithatë, thanë se kujdesi gjerman në reagimin ndaj krizës ishte më shumë një pengesë për një aktivizim të shpejtë të Forcatve të Reagimit të NATO-s sesa obstruksionizmi hungarez.

“Përpjekja për ta bërë këtë përmes NATO-s mund të zgjasë me javë dhe vetëm do të ekspozonte të gjitha debatet e brendshme”, tha një diplomat.

Pararoja e Forcave të Reagimit të NATO-s ka qenë nën komandën franceze që nga janari dhe thelbi i saj është një brigadë franko-gjermane prej 3500 trupash. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përshëndeti vendimet e SHBA-së dhe tha se aleanca mund të ndërmarrë hapa të ngjashëm për të forcuar krahun e saj lindor.

 “Ne kemi rritur gatishmërinë e Forcave të Reagimit të NATO-s dhe po shqyrtojmë vendosjen e grupeve shtesë të betejës në pjesën juglindore të aleancës”, tha Stoltenberg. “Dislokimet tona janë mbrojtëse dhe proporcionale dhe dërgojnë mesazhin e qartë se NATO do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët.”