Kupa e Mbretit/ Balliu triumfon përballë Muriqit dhe kualifikohet për në gjysmëfinale, 'pirati' bën për vete tifozët

Rajo Vajekano ka dalë fitues nga dueli me Majorkën në çerekfinalen e Kupës së Mbretit. “Los Franjirrojos” triumfuan me rezultatin 1-0 , falë golit të shënuar nga Trejo në minutën e 44-t nga pika e bardhë e penalltisë.

Në fushën e lojës kanë qenë titullar për 90 minuta edhe dy lojtarë shqiptarë, që janë vënë përballë njëri-tjetrit si kundërshtar. Në fund ishte Ivan Balliu ai që fitoi duelin me Vedat Muriqin, duke prekur kështu gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit. Një sukses ky i rrallë për klubin e Rajo Vajekanos dhe Balliun, i cili u vlerësua si lojtari më i mirë në fushë për ekipin e tij.

Nga ana tjetër, pavarësisht debutimit me humbje, Muriqi ka treguar një fytyrë tjetër nga ajo në Itali. “Pirati“ ka fituar menjëherë zemrat e tifozëve të Majorkës, pasi ishte më i miri në fushë për skuadrën e tij. Sulmuesi shqiptar ka luftuar për çdo top në fushë dhe ka bindur tifozët që në debutimin e tij. Imapkti ka qenë pozitiv për të, teksa mbështetës të shumtë të Majorkës kanë shprehur në rrjetet sociale pëlqimin e tyre për Muriqin.