Avokati Gjokutaj: Pse procedura e shkarkimit të Metës është politike

Procedura e shkarkimit të presidentit Meta është thellësisht politike, sipas avokatit Genc Gjokutaj.

I ftuar në emisionin Now, Gjokutaj tha se kjo procedurë ka filluar në fund të mandatit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit.

“Ligji thotë, 1/4 e deputetëve merr iniciativën dhe duhen 2/3 e të gjithë anëtarëve, e 140 deputetëve, pavarësisht pjesëmarrjes së seancë”, u shpreh Gjokutaj.

Në qershor të vitit 2021, 104 deputetë votuan shkarkimin e presidentit Meta.

Mazhoranca socialiste e fajëson atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, të cilat sipas socialisteve kanë shkelur Kushtetutën.

Këto deklarata, Gjokutaj i cilësoi figura letrare.

“Kjo ka filluar për një fjalor që ka përdorur presidenti që të rrëmbejnë sfurqet e sëpatat. Ajo është një figurë letrare e përdorur nga presidenti”, tha Gjokutaj.

Seanca për shkarkimin e Metës në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet të enjten.