VIDEO/ Zgjedhjet në FSHF, denoncimi i fortë i trajnerit: Më kërcënojnë njerëz të pushtetshëm

Edhe pse mbledhja e Asamblesë së Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër ka mbaruar, presionet politike vazhdojnë ende.

Trajneri Neritan Novi, edhe pse pa të drejtë vote në këtë asamble, ka deklaruar këtë të mërkurë se ndaj tij janë ushtruar presione nga njerëz të politikës, të cilët i ka denoncuar në gjykatë  

Përtej ndërhyrjes së qartë të politikës dhe presioneve të përfaqësuesve të qeverisë dhe bashkisë Gjirokastër, mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit të këtij qyteti u zhvillua të dielën dhe zgjodhi drejtuesit e saj.

Por edhe pse tashmë gjithçka ka përfunduar, presionet vazhdojnë ende.

Këtë e konfirmon Neritan Novi, trajneri i akademisë Lefter Millo, i cili ka denoncuar se ka patur presione nga njerëzit e politikës vetëm pse ndihmoi miqësisht zyrtarët e FSHF-së të akomodoheshin në hotelet e Gjirokastrës.

Vetë Novi nuk ka preferuar që të përmendë emra, ndërsa ka theksuar se i trembet askujt.

Këto presione janë në vazhdën e situatës absurde të krijuar pas përfshirjes flagrante të politikës në fushatën zgjedhore në prag të Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së, të programuar më 2 mars.  

“I jam drejtuar gjykatës, po pres fjalën e drejtësisë. Faktet për presione do t’i bëj publike në ditët në vijim. Janë presione nga njerëz të pushtetshëm.

Nuk kam votuar në Asamble pasi akademia nuk ka pasur të drejtë vote. Kam pasur presione nga njerëz të ndryshëm. Vazhdoj të jem në punë, por nuk trembem”, thotë Novi, prononcimin e plotë të të cilit mund ta shihni në videon e mëposhtme.