Kinemaja italiane në zi, ndërron jetë aktorja ikon e shekullit 20

 

Ka ndërruar jetë në moshën 90 vjeçare aktorja ikonë e kinematografisë italiane, Monica Vitti.

Aktorja vuante nga një sëmundje neurodegjenerative e ngjashme me atë të Alzheimerit, sëmundja e cila e izoloi nga të gjithë.

Vitti ishte mishërimi i gjallë i epokës së artë të kinematografisë italiane me një potret dhe një zë që askush tjetër nuk ka mundur ta përsëris.

E rritur në Siçili, e dashuruar pas aktrimit që në adoleshencë (kur organizonte shfaqje në shtëpi për të shpërqendruar vëllezërit e saj nga tmerret e bombave në vitet e fundit të luftës), ajo u diplomua në vitin 1953 në Akademinë e Artit Dramatik nën drejtimin e Silvio d'Amico.

Ajo debutoi në vitin 1955 me një rol të vogël në "Adriana Lecouvreur" të Guido Salvinit përkrah aktorëve të mëdhenj italian si Valentina Cortese, Gabriele Ferzetti dhe Memo Benassi.

Në katër vitet e ardhshme ajo do të bëhet një divë ndërkombëtare falë filmave të paharrueshëm si "The night", "The eclipse", "Red desert".

Të gjithë regjisorët e mëdhenj ndërkombëtarë e donin, sepse përveç një fytyre të bukur dhe misterioze ajo kishte një zë të ngjirur dhe të butë.

Luani i Artë për arritje të jetës, i cili iu dha asaj nga Gillo Pontecorvo në Festivalin e Filmit në Venecia në 1995, është një nga çmimet kryesore ndërkombëtare të marra nga aktorja së bashku me 5 David, 12 Golden Globes dhe 3 Shirita Argjendi të fituara në shtëpi.