Skandali i Dritan Agollit/ Si u dhanë 400 mijë dollarë për një libër dhe...

Kreu i Fondit të Zhvillimit Shqiptar, Dritan Agolli është vënë nën hetim nga SPAK në lidhje me një tender që i ka dhënë kuzhinierit të famshëm Alfio Rrotani, me vlerë 400 mijë dollarë. Dritan Agolli po hetohet nga organi më i lartë i akuzës për shpërdorim detyre, abuzim me fondet publike dhe korrupsion.

Duke iu referuar të dhënave të praktikave që janë përdorur për të justifikuar këtë shumë, shikohet se bëhet fjalë për një libër me receta dhe informacione dhe po ashtu edhe për një dokumentar, nga i cili do të promovohet puna mbi këto “100 Fshatra”.

Ditën e martë kanë dalë të dhëna të tjera që lidhen me “zërat” që janë orientuar për të justifikuar shumën marramendëse që është hedhur për realizimin e menysë.

Sipas të dhënave, bëhet me dije se bëhet fjalë për hartimin e një libri dhe të një dokumentari. Në libër ideuesit e këtij projekti kanë parashikuar të përfshijnë receta me gatime shqiptare të cilat do të paraqiten si libër informativ e po ashtu bëhet fjalë edhe për një dokumentar me disa pjesë, pra seri, që do të realizojnë promovimin nëpër rrjetet sociale. Pra, ky projekt për FSHZH-në kushton plot 400 mijë dollarë.

Pas daljes së skandalit që lidhej me koston marramendëse të menysë së ushqimeve të traditës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ende nuk ka bërë asnjë reagim. Madje as qeveria, pasi ky fond është në varësi direkte të kreut të qeverisë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit e ka hapur procedurën brenda programit “100 Fshatra”, duke gjetur pretekstin për të hartuar një meny për të krijuar menynë “100 Fshatra”. Sipas dokumenteve, paratë do të shkojnë për grumbullimin e informacionit mbi gatimet shqiptare, dizajnin e librit të menysë “100 Fshatra”, realizimin e një dokumentari me seri dhe promovime në rrjetet sociale. Në shkresat e Fondit Shqiptar të Zhvillimit nuk del qartë se si ka dalë kjo kosto, vetëm thuhet se libri do të jetë i konceptuar si një udhëtim turistiko–gastronomik në “100 Fshatrat”, me një format miks mes një libri kuzhine dhe një guide turistike, në version “print” dhe online. Ndërsa dokumentari do të transmetohet sipas tyre në 12 seri.

Dyshimet për shpalljen e fituesit të tenderit janë për një qark të shkurtër mes drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe shefit të kuzhinës Alfio Rrotani. Ky i fundit është administrator dhe ortak kryesor i kompanisë “Maskarpone”, fituese e tenderit, ndërkohë që ka punuar për restorantin “Bedouin Beach & Bar” në Hamallaj te Gjiri i Lalzit në Durrës, në pronësi të Flladi Agolli, i biri i drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.

Ishte vetë ky restorant, që ndodhet brenda një resorti turistik, që ka reklamuar në faqen e tij të “Facebook” shërbimet e shefit të kuzhinës Alfio Rrotani teksa përgatit tavolinat, apo kur prezantohet bashkë me stafin, të cilët janë edhe të punësuarit e Flladi Agollit. Prokuroria dhe aq më pak SPAK-u nuk kanë reaguar as përgjatë së djeshmes në lidhje me shumën e çmendur të hedhur për një meny, apo libër!