Shqipëria i bashkohet BE, thirrje Mianmarit të lirojë të arrestuarit dhe nisë procesin demokratik

Komuniteti evropian dhe ai ndërkombëtar kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët duke i kërkuar Mianmarit që menjëherë t'i japë fund Gjendjes së Jashtëzakonshme, të lejojë ndihmat humanitare, të lirojë të gjithë personat e arrestuar arbitrarisht, përfshirë të huajt, dhe ta kthejë vendin me shpejtësi në procesin demokratik.

Lajmin e dha sot mediat në Mianmar, sipas të cilave “deklarata e përbashkët u lëshuar nga Përfaqësuesja e Lartë në emër të Bashkimit Europian dhe Ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Australisë, Kanadasë, Zelandës së Re, Norvegjisë, Republikës së Koresë, Zvicrës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, në përvjetorin e një viti të marrjes së pushtetit nga ushtria në Mianmar.

Më 1 shkurt 2021, ushtria mori pushtetin në Myanmar, duke mohuar aspiratat demokratike të popullit të Mianmarit. Një vit më vonë, ndikimi shkatërrues mbi popullin e Mianmarit është i qartë. Mbi 14 milionë njerëz janë në nevojë humanitare, ekonomia është në krizë, fitimet demokratike janë kthyer mbrapsht dhe konflikti po përhapet në të gjithë vendin.

Kriza ka dëmtuar rëndë paqen dhe stabilitetin në Mianmar dhe në rajon, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë, ata edhe një herë bëjnë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të dhunës dhe për dialog konstruktiv mes të gjitha palëve për zgjidhjen paqësore të krizës. Ata gjithashtu përsërisin thirrjen e tyre ndaj ushtrisë që t'i japë fund menjëherë Gjendjes së Jashtëzakonshme, të lejojë aksesin e papenguar humanitar, të lirojë të gjithë personat e arrestuar arbitrarisht, përfshirë të huajt, dhe ta kthejë vendin me shpejtësi në procesin demokratik.

Në përvjetorin e marrjes së pushtetit, këto shtete thonë se kujtojnë ata që kanë humbur jetën gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë gra, fëmijë, personel humanitar, mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe protestues paqësorë. Ato dënojnë me forcë shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut nga ushtria në të gjithë vendin, duke përfshirë kundër pakicave të tjera etnike dhe fetare.

Ato shprehin shqetësim të madh për raportet e besueshme të torturës dhe dhunës seksuale dhe me bazë gjinore dhe shqetësim serioz për më shumë se 400,000 njerëz të tjerë që kanë ikur nga shtëpitë e tyre që nga marrja e pushtetit nga ushtria.

Në deklaratë shprehet gjithashtu shqetësim i madh për krizën e thelluar humanitare në të gjithë vendin dhe i kërkohet ushtrisë që të sigurojë akses të shpejtë, të plotë dhe të papenguar humanitar për popullsitë e cenueshme, duke përfshirë edhe vaksinimin kundër COVID-19. Më pas vendet shprehin shqetësim të madh për numrin e madh të personave të arrestuar në mënyrë arbitrare dhe dënimin e Aung San Suu Kyi dhe të të burgosurve të tjerë politikë.

Të gjithë anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare janë ftuar të mbështesin përpjekjet për të promovuar drejtësinë për popullin e Mianmarit.

Në deklaratë, BE-ja dhe shtetet e tjera theksojnë mbështetjen e tyre për Konsensusin Pesëpikësh të ASEAN-it dhe përpjekjet e të dërguarit special të ASEAN-it për të mbështetur një zgjidhje paqësore në interes të popullit të Mianmarit.