‘Ish-muratori që u bë futbollist’/ Historia frymëzuese e lojtarit më të ri të Juventus që la shkollën për të ndihmuar familjen

Juventusi bleu në ditën e fundit të merkaton së janarit mbrojtësin 23-vjeçar të Frosinone-s, Federico Gatti, dhe historia e këtij futbollisti është thuajse kinematografike.

Gatti do të qëndrojë në huazim te Frosinone deri në fund të sezonit dhe transferimi i tij kap vlerën e rreth 7.5 milionë eurove.

"Ai është Chiellini me këmbët e Bonuccit. Gatti ka temperament, është karizmatik dhe autoritar. Nuk mungon asnjëherë në fazën sulmuese. Pas disa muajsh do të mund të luajë me Bonuccin dhe Chiellinin për të mësuar truket e këtij zanati", tha Guido Angelozzi, drejtor sportiv Frosinones.

Historia e Gattit është një frymëzim për shumë njerëz. Në moshën 17-vjeçare, Federico e la shkollën dhe përveshi mëngët për të fituar para, pasi babai i tij humbi vendin e punës.

Punonte në treg, murator, montues dritaresh dhe riparonte çatitë. Por ai kurrë nuk hoqi dorë nga futbolli dhe transferimi i tij te Juventus, është një shpërblim për gjithë ato sakrifica.

“Kam qenë murator dhe kam montuar dritare, jam stërvitur në baltë, fusha akulli dhe në të ftohtë... Kam kaluar shumë përvoja pozitive dhe negative dhe e gjithë kjo më ka ndihmuar të përmirësohem dhe të bëhem ky që jam sot”, tha lojtari i ri.

Historia e djalit nga Rivoli, i cili “lulëzoi” relativisht vonë pasi luajti në ligat e ulëta, të kujton legjendarin Moreno Torricelli, i cili iu bashkua Juventusit si ish-zdrukthtar nga një klub amator dhe fitoi gjithçka që mund të fitohej.

“Shpresoj që dikush të ketë të njëjtin fat si unë”, tha Torricelli dikur për Corriere dello Sport, dhe tani lind pyetja a mund të ketë Federico Gatti, djaloshi me fat?

Gatti, i cili ka luajtur në ligat më të ulëta të futbollit italian gjatë gjithë karrierës së tij, deri më tani ka pasur një sezon të shkëlqyer debutues me Frosinone në Serinë B. Ai ka luajtur në 18 paraqitje në ligë, ka shënuar tre gola dhe komandon një mbrojtje që aktualisht është e treta në liga me 18 gola të pësuar, në 20 ndeshje.