Uzuni mesazh emocionues për Ferencvarosh: Është një mirupafshim, jo një lamtumirë!

Myrto Uzuni  e mbylli me Ferencvarosh, teksa tashmë do të nisë një aventurë të re në Spanjë ku do të luajë për Granadën.

Sulmuesi shqiptar zhvilloi ditën e djeshme seancën e parë stërvitore me skuadrën e tij të re, por në të njëjtën kohë nuk ka harruar të përshëndesë me një mesazh emocionues në rrjetet sociale tifozët e Ferencvaroshit në Hungari, ku kaloi një përvojë të jashtëzakonshme, që e kataputloi në kampionatin spanjoll.

Mesazhi i Uzunit:

“Sot është një ditë e trishtë për mua, duke u larguar nga një qytet dhe një klub ku u ndjeva i dashur dhe i respektuar nga të gjithë: fansat, stafi dhe shokët e skuadrës. E di që për këtë fanellë kam dhënë gjithmonë 101%. Faleminderit të gjithëve që thirrët emrin tim dhe më mbështetët në ditë të mira dhe të këqija. Së bashku ishim të suksesshëm, fituam titullin kampion, u kualifikuam në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Europës. E vetmja gjë që më mungon është fitorja e Kupës së Hungarisë.

Por jam i sigurt se do të kthehem përsëri me ju, më vonë, në karrierën time. E vetmja gjë që mund të them me plot zemër tifozë të Ferencvarosit është që kjo është një mirupafshim, jo një lamtumirë. Luani juaj, Myrto Uzuni!”