Analistët komentojnë mbi Asociacionin, 'sekretet' në duart e Albin Kurtit

Ashtu siç pritej, çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte një nga temat, të cilat u diskutuan gjatë vizitës së të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani.

Me këtë u konfirmua që ‘Zajednica’ u rikthye përfundimisht në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës e Serbisë. 

Syri Kosova ka folur me analistët politikë që përcjellin procesin e dialogut, të cilët kërkojnë që Prishtina të ketë kujdes në modalitetin që propozon për të arritur marrëveshje finale me shtetin serb.

Vizita e Escobar dhe Lajçak në Prishtinë po vazhdon edhe sot me takime me përfaqësues të partive opozitare.

Çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe shihet si shkak i bllokadës. Prandaj edhe këto takime po konsiderohen si presion për palën kosovare që t’i rikthehet negociatave në Bruksel.

Qeveria e tanishme e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion me bazë një-etnike. Serbia, në anën tjetër, insiston që në kuadër të dialogut të bisedohet për Asociacionin, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër - gjë të cilën Kosova nuk e pranon.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar bisedime në nivel të lartë që nga korriku i vitit të kaluar.

Si Lajçak edhe Escobar kanë inkurajuar udhëheqësit e Kosovës që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se ky proces do ta afrojë Kosovën edhe më pranë BE-së.

Njohësi i çështjeve politike, Taulant Kryeziu, ka folur për Syri Kosovën në lidhje me këtë vizitë dhe formimin e mundshëm të Asociacionit.

Kryeziu thotë se kjo vizitë që po bëhet e përbashkët mes Escobar e Lajçak duhet të konsiderohet si mesazh që faktori ndërkombëtar nuk dëshiron më të kemi status-quo që po prodhon më shumë regres, se sa progres.

“Një lloj uniteti trans-atlantik [SHBA-BE] për dialogun Kosovë-Serbi, mendoj që Qeveria Kurti ka bërë shumë mirë që i ka përjashtuar nga tryeza e diskutimit çështjen e parë që ka pasur të bëjë me idenë e ndarjes së Kosovës dhe  idenë e dytë që ka të bëjë me Asociacionin si një rrafsh i tretë i pushtetit ekzekutiv në Kosovë. Mirëpo ajo që po shihet nga faktori ndërkombëtar apo kjo dakordësi është që status-quo nuk është ajo që po pëlqehet, sepse kjo po prodhon regres.

Nëse Kosova dëshiron të bëhet pjesë e tërësisë së vlerave evropiane dhe euroatlantike, mendoj që është koha të ketë një dinamizëm në këtë proces të dialogut dhe assesi që nga një status-quo të kalojmë në një marrëveshje të dëmshme. Gjithsesi është me rëndësi kualiteti dhe lloji i njohjes që do të marrë Kosova nga Serbia”.

Një marrëveshje kualitative dhe që do të sillte njohje të pastër nga pala serbe duhet të jetë i vetmi opsion që Kosova duhet ta kërkojë, shprehet tutje Kryeziu. Ai insiston që nuk duhet të pranohet një asociacion me kompetenca ekzekutive.

“Kosova duhet të marrë njohje të pastër de-jure që do të ishte bazuar në marrëveshjen ku Kosova njihet si shtet, merr ulëse në OKB, pastaj modaliteti duhet të gjendet nga ana e ekipit negociator të Kosovës. Kjo kërkon një ujdi dhe konsensus jo vetëm pozitë-opozitë, por edhe të mbarë shoqërisë kosovare. Assesi nuk duhet të diskutohet një lloj asociacioni që jep kompetenca kushtetutëbërëse që ndërton një rrafsh të tretë të pushtetit.

Të mos harrojmë se Kosova është ndërtuar mbi parimet e një demokracie kushtetuese, që reflekton tërësisht evropian (pra multietnik), ku pushteti vjen nga qytetari dhe marrëdhëniet ndëretnike gjithmonë ndërtohen në parime që institucionet qendrore qëndrojnë mbi ndasitë etnike dhe nuk përfaqësojnë apo reflektojnë etnikisht. Andaj çdo marrëveshje rreth Asociacionit duhet të jetë vetëm konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe  po e rithem është e rëndësishme kualiteti i njohjes që mund të vijë nga Serbia nga kjo marrëveshje” thekson Kryeziu.

Kurse Violeta Haxholli monitoruese e dialogut Prishtinë-Beograd në KDI, në një bisedë për Syri.net thotë se ishte e pritshme që asociacioni të jetë tema kyçe e diskutimit.

“Po takimi i djeshëm i z. Escobar dhe z.Lajçak me përfaqësuesit e Kosovës dëshmoi edhe një herë se BE dhe SHBA bashkërisht e mbështesin vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje finale. Natyrisht ishte e pritshme që tema e Asociacionit do të ishte një nga temat e kësaj vizite duke e ditur që tash e shumë vite Kosovës i kërkohet që të zbatojë këtë marrëveshje” thotë Haxholli.

Haxholli shton se pasi marrëveshja e parë e 2013 dhe ajo e 2015 është në kundërshtim me Kushtetute e Kosovës duket qartë se Qeverisë i janë propozuar modalitete të reja për asociacionin.

“Pas dërgimit të kësaj marrëveshjeje në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit ka gjykuar se disa nga parimet e marrëveshjes nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe ka kërkuar që ato të adresohen gjatë hartimit të statutit të Asociacionit.

Në bazë të marrëveshjeve dhe në bazë të këtij Aktgjykimi, procedura e themelimit të Asociacionit është e qartë. Tani si duket Qeverisë i janë propozuar disa modele nga ana e ndërmjetësve të dialogut, megjithatë këto modele ende nuk janë bërë publike dhe nuk dihet se për çfarë është fjala. Mirëpo çdo model që Qeveria vendos ta shqyrtojë natyrisht se duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese” shprehet Haxholli.

Se mund të kemi modele të reja që mund të shtyjnë në funksionimin e asociacionit, ka folur edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ai ka thënë se ka modele, për të cilat SHBA-ja mendon se mund të funksionojnë për këtë asociacion dhe se Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që t'i shqyrtojë ato. Ai nuk ka dhënë më shumë detaje rreth këtyre modeleve.

Se këto modalitete të reja mund të jenë propozuar ose pritet të propozohen edhe nga Prishtina, po e thotë edhe Taulant Kryeizu, i cili pret edhe një dinamizim të ri në dialog.

“Duket që ka një lloj dimanizmi të procesit; mbase pas zgjedhjeve të Serbisë mund të kemi një takim të lartë politik mes Prishtinës e Beogradit. Kjo vizitë mund të jetë edhe për të parë se si është agjenda e këtyre dy vendeve. Ajo që po shihet është që ka interes nga faktori ndërkombëtar që dialogu të zhvillohet, SHBA-të po thojnë që Kosova është shtet i pavarur dhe i takon të propozojë modalitetin se si të vijë deri te marrëveshja e të marrë dakordësinë nga pala tjetër dhe në këtë mënyrë të kemi njohjen e pastër nga Serbia” përfundon Kryeziu për Syrin.

Por për çfarë modaliteti të ri po bëhet fjalë, sqarime nuk ka thënë as Kryeministri Kurti pas takimit që pati me Escobar e Lajçak. Ai tha se është i gatshëm t’iu përgjigjet kërkesave dhe nevojave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë atyre serbë.

“Do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian, e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat, të cilat i zbaton Serbia, sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitete që janë të privilegjuara, e diku tjetër të diskriminuara” ka thënë Kurti.

Pse Asociacioni është problematik për Kosovën?

Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, patën arritur Marrëveshjen e parë të Brukselit, në bazë të së cilës marrëveshje parashihej edhe krijimi i një Asociacioni/Bashkësie të komunave me shumicë serbe.

Sipas marrëveshjes, Asociacioni do të krijohet me statut dhe do të themelohet mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të komunave të Kosovës, si për shembull do të ketë kryetar, zëvendëskryetar, Asamble dhe Këshill.

Asociacioni do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural dhe do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

Më 2015, po në kuadër të dialogut të Brukselit, palët arritën Marrëveshje mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni, marrëveshje e cila ende nuk është jetësuar, përkundër insistimit të Beogradit zyrtar.

Sipas Marrëveshjes për Asociacionin dhe në përputhje me Marrëveshjen e parë të Brukselit, objektivat kryesore e Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit (të vitit 2013), të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe të shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës (v.j. Atifete Jahjaga), kurse Marrëveshja mbi parimet (për themelimin e Asociacionit, e arritur më 2015), nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Çfarë është Asociacioni i komunave të Kosovës?

Asociacioni i komunave të Kosovës funksionon në Kosovë si organizatë joprofitabile e themeluar për t’i përfaqësuar dhe për t’u shërbyer interesave të anëtarëve të saj, gjegjësisht komunave të Kosovës. Pjesë e këtij Asociacioni janë 34 komuna të Kosovës. Kuvendi ka 126 anëtarë dhe përbëhet nga të gjithë kryetarët e komunave dhe nga një këshilltar i zgjedhur për secilin nga dhjetë këshilltarët komunalë dhe përfaqësues nga komunitetet jo-shumicë në kuvendet e komunave.

Misioni i këtij Asociacioni është të krijojë qeverisje lokale efikase, të qëndrueshme dhe demokratike përmes përpjekjeve të përbashkëta me komunat dhe përmes tyre të arrihet një performancë e kualitetit të lartë në shërbim të nevojave për anëtarët e saj.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë, shumica e të cilave të banuara me popullsi të etnisë sërbe, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë./Syri Kosova