EMRAT/ Të dënuar për vrasje e trafik droge, kush janë të arrestuarit në Elbasan

Janë zbardhur emrat e personave të arrestuar në mega-operacionin e zhvilluar sot në qarkun e Elbasanit.

Një nga ta është Aleksandër Sinanaj, që dyshohet si një nga grabitësit e maskuar të Bankës Kombëtare Tregtare, që ndodhet në lagjen “Hajro Çakërri” në qytetin e Vlorës, një ngjarje që ndodhi në 15.08.2011.

 “Janë 11 punonjës të burgjeve të arrestuar, të IEVP Elbasan, IEV Peqin, IEVP Drenovë. Pjesa tjetër janë të biznesit të burgut të Peqinit. Janë pronarët e një dyqani në burgun e Peqinit, burrë e grua. Dhe janë disa biznesmenë nga Vlora për lotari.

Janë edhe 9 të burgosur në Elbasan, Peqin dhe Korçë. Syri mëson se mes të arrestuarve janë përsonazhe të njohur në botën e krimit. Ndër ta janë arrestuar Arben Grori, Klajdio Gjeçi, Aleksandër Sinanaj, Aleksandër Llanaj dhe Gazmend Braka, alias “Gaxhai”.

Ata akuzohen për lëndë narkotike, sende të ndaluara, telefona, porosi të dhëna nga burgu, trafik droge nga burgu dhe korrupsion. Disa zyrtarë të arrestuar akuzohen edhe për shpërdorim detyre. Gjithsej janë katër akuza që janë ngritur ndaj të pramgosurve.

Klajdi Gjeci është mik i Shullazit, që u kap në Tiranë për shitje narkotikësh në maj 2020.

Aleksandër Llanaj  është shpallur fajtor për vrasjen e tre të rinjve në prill të vitit 2015 në Vlorë dhe është dënuar me burgim të përjetshëm e më pas me 35 vite burgim nga të tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri.

Arben Grori  është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1999 nga Gjykata e Pestë Penale e Milanos në Itali, vendim që u njoh dhe u la në fuqi më pas dhe nga Gjykata e Apelit, po në Milano.

Grori u gjet fajtor për vrasjen e Zyberit, në një spital në Milano, ku ndodhej i shtruar.