Të zgjedhësh mes shkollës ose shamisë, vendimi i rëndë i vajzave kosovare

Në vendin tonë shpeshherë është ngritur tema e aplikimit të mësimit fetar në shkolla dhe lejimi i bartjes së mbulesës (shamisë), por, sidoqoftë kjo gjë ka mbetur vetëm në hapësirën e debatit apo diskutimit, shkruan Syri.net Kosova.

Edhe sot në Ditën Botërore të Shamisë, Kosova gjendet ende në një situatë me debate të forta mes mbështetësve dhe atyre që e kundërshtojnë një gjë të tillë duke u thirrur në laicitetin e Republikës dhe arsimit.

Kjo pasi edhe në këtë vit udhëzimi administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla mbetet në fuqi në kuadër të Ministrisë së Arsimit.

Por pavarësisht së gjithash, janë vajzat dhe gratë kosovare ato që më së shumti po pësojnë nga të gjithë zërat ‘bosh’

Një vajzë, me inicialet N. I.,, (identitet i njohur për redaksinë) ka disa vite që është mbuluar me shami.  Duke u treguar shumë e vendosur dhe krenare për mbajtjen e shamisë, rrëfen edhe ëndrrën e saj për tu shkolluar në institucione publike.

Unë jam mbuluar që nga mosha 14 vjeçare. Nuk ma ka imponuar askush, e kam bërë me vetë dëshirë, dhe  mendoj që çdo femër myslimane e ka obligim të mbajë shaminë. Unë i jam përkushtuar fesë myslimane, kam lexuar edhe Kuranin, por megjithatë ndjehem shumë e diskrimunar pse nuk më lejohet bartja e shamisë në shkollë publike, nuk është aspak në rregull pasi kjo gjë është shumë personale dhe vendimi që ndalon këtë gjë me patjetër duhet të ndryshoj. Sidoqoftë, unë tani veçse jam në vitin e fundit të shkollës në Medrese, dhe jam obliguar të shkoj në këtë shkollë pasi në Gjimnaz nuk mu lejua, ani pse e kam shumë peng...”, thotë ajo.

Ndërkohë që kërkohet me ngulm ndryshimi i këtij vendimi në fuqi, disa këtë ndalesë po e quajnë bullizëm.

Imami, Labinot Maliqi e ka quajtuar bullizëm ndalesën e MASHT-it për bartjen e shamisë në shkollam derisa ka bërë kërkesë publike për kryeministrin Kurti që të shfuqizojë vendimin në fuqi.

Edhe ndalesa e Ministrisë së Arsimit për bartjen e shamisë në shkolla, po vazhdon të shkaktoj #bullizëm tek ato vajza që e bartin atë. Meqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha mbrëmë se: “Jam i gatshëm t’i përgjigjem të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës.” Atëherë, kërkoj që t’i përgjigjet kërkesës sonë dy dekada e vjetër, duke e shfuqizuar ndalesën administrative të MASHT-it, e cila po vazhdon t’ua mohoj vajzave të drejtën e tyre kushtetuese për t’u shkolluar, dhe të drejtën kushtetuese për ta praktikuar hapur besimin e tyre” , thotë Maliqi.

Derisa e zëshme për këtë temë është vazhdimisht edhe deputetja, Duda Balje njëherësh Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

 “Unë jam kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe nga pozita ime bashkë me 10 deputetë e kemi hap këtë temë dhe kemi hapur iniciativë që vajzat me mbulesa të hyjnë në shkollë. Disa prej shkollave në nivelin lokal drejtorët kanë lejuar shkollimin për vajzat me mbulesë, ndërsa disa të tjerë jo. Secila vajzë ka të drejtë të shkollohet edhe ato me mbulesë. Ne jemi shumë të vendosur për këtë gjë edhe opozita edhe pozita jemi në një vijë dhe besoj që në këtë mandat do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështje. Do të kërkojmë të ndryshojë udhëzimi administrativ dhe do të kemi edhe takim me ministren e Arsimit”, kishe deklaruar Balje.

Ndërkohë sipas profesorit Mustafë Bajrami ndalimi i shamisë në shkolla paraqet problem serioz dhe cenim i të drejtave elementare për jetë, siç është shkollimi.

“Nuk dyshohet fare se çështja e mbulesës në Islam (shamia), është ndër temat e ndjeshme edhe sot e kësaj dite. Ajo ka qenë temë diskutimi edhe në të kaluarën. Në Kosovë, polemikat rreth shamisë herë-herë përshkallëzohen dhe shkaktojnë debate të ndjeshme. Tek ne sikur edhe gjetiu, kundërshtarët e mbajtjes së shamisë pretendojnë se feja duhet të mbetet privatësi e individit dhe e ndarë nga jeta publike, ndërsa mbrojtësit e shamisë thirren në dispozitat fetare obliguese për besimtarët. Shikuar nga lartë, duket se të dy këto perspektiva kanë mbështetjet e veta. Për ata që mbulesa është obligim fetar, ndalimi i saj në shkolla paraqet problem serioz dhe cenim i të drejtave elementare për jetë, siç është shkollimi”, shprehet Bajrami për Syrin.

Sipas tij, ata të cilët dalin kundër shamisë, shaminë e shohin atak mbi laicitetin e shtetit, prandaj edhe e kundërshtojnë bartjen e saj nëpër institucione shtetërore dhe në shkolla publike.

Lidhur me këtë çështje se a do të rishikohet udhëzimi Administrativ, në mënyrë që të lejohet bartja e shamisë në shkolla fillore dhe të mesme, Syri.net Kosova ka kontaktuar edhe me MASHT, por që deri në publikimin e këtij artikulli ata nuk kanë qenë të qasshëm për t’u përgjigjur.

Në pritje të një vendimi të ri, mbetja në fuqi e udhëzimit administrative që ndalon bartjen e shamisë në shkollat e Kosovës, e lë të hapur edhe më tej debatin me qëndrime kundërthënëse, për dhe kundër, të përfaqësuesve të institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi. /Syri.net Kosova