Shpërthen presidenti i Fiorentinës: Menaxherët kërkonin para për shitjen e Vlahovic

Roko Komiso nuk mban më. Presidenti i Fiorentinës, sot është shfaqur para mediave dhe ka qenë një “lumë” i vërtetë në akuzat e tij kundër Dushan Vlahovic dhe menaxherëve të tij, që bënë maksimumin që ai të shkonte të Juventusi.

Komiso ka theksuar se Fiorentina kishte dalë e fituar në këtë mes jo vetëm në aspektin ekonomik.

“Kjo situatë është e komplikuar për mua dhe për këdo që punon te Fiorentina. Një ditë Dushan po bashkohej përsëri me tifozët, në nëntor u ktheva të mundohesha të mbyllja kontratën, por menaxherët e tij ishin të pandershëm dhe mashtrues. Takimi ishte i mirë, kisha përgjigje të mira nga ai dhe kishim caktuar ditën e nesërme për të mbyllur kontratën, por në vend që të afrohej te ajo që u vendos 4-5 milionë euro, na kërkoi 8 neto.

Kishim rënë dakord 2 milionë euro me menaxherët, më kërkuan më shumë. I pyeta pse kërkonin më shumë para, meqë golat i bënte Dushan, por më thanë se dëshironin edhe ata. Përtej kësaj, më kërkuan jo vetëm 10% të vlerës së shitjes, por edhe ekskluzivitetin e saj.

Mendoj se kishte ofertë prej kohësh, pasi sa herë që Barone e Prade janë kthyer me oferta të mira nga Anglia, ai thoshte jo. Sipas meje, objektivi ishte që të mbërrihej në përfundim të kontratës dhe të shkatërronte Fiorentinën, diçka që po ndodh gjithmonë e më shumë në futboll, siç shihet me Mbape te PSG, Insinje te Napoli. Donaruma e Kesi te Milan apo Dibala te Juventusi.

Menaxherët mendonin se mund të largoheshin me kosto zero për t’u bërë të pasur me mundin e Roko dhe të Fiorentinës.

A ishte transferim i mirë për Fiorentinën? Shumë i mirë, dikush e ka cilësuar spektakolar, për notën 8. Pas COVID ne faturojmë 75 milionë euro dhe kështu, morëm 100% të asaj që faturojmë. Do të ishte një humbje shumë e madhe.

Për Juventusin do të ishte sikur të shiste një futbollist për 400 milionë euro. Ky është transferimi më i madh i merkatos së janarit, duhet të shohim të ardhmen”, tha Komiso.