Prishjet e shtëpive, Marku: Pushteti arrogant, kjo që po ndodh është katastrofë

Gazetari Bled Marku në një lidhje live me Skype në emisionin A Show të moderatorit Adi Krasta në Syri Tv, komentoi protestën e qytetarëve kundër prishjes së shtëpive të tyre në Tiranë.

Marku theksoi se pushteti po tregohet arrogant, duke shtuar se kjo që po ndodh është një dramë e katastrofë.

“Kam hasur arrogancë të pushtetit. Te 5 Maji, më datë 22 shkurt e kanë lënë që do të bëjnë ndërhyrjen e madhe, kemi protesta në Paskuqan, Babrru, në Shkozë, ka protesta në Kombinat për pronën, janë 6-7 protesta dhe e përbashkëta është prona, po tjetërsohet prona sot. Nga Dogana deri në Shkozë, ku është Unaza e Madhe pritet të prishen mbi 700 shtëpi. Zhvendosja është pa adresë dhe për mua kjo është një dramë.

Nuk ka pasur asnjë ofertë. Është e trishtë të të prishet shtëpia. Im atë në Tiranë punoi ndershmërisht, na mësoi të besojmë në Zot dhe te njeriu, e pas ndërtimeve që ka bërë, babait tim i thonë se do të heqim nga Tirana e do të lëmë jashtë. Nuk ka zgjidhje, presin VKM, kanë lajmëruar si lajmëtarë të vdekjes. Kjo që po ndodh është një katastrofë. Ne do kërkojmë zgjidhje e uroj mos shkojmë në pikën, kur të jemi në cep të ringut”, u shpreh Marku.