Të lidhur si kafshë, si trajtohen banorët e Qendrës së Zhvillimit

Në vitin 2014 dhe 2016 në emisionin “Stop” janë transmetuar pamje nga Qendra e Zhvillimit në Shkodër.

Në atë kohë u publikuan pamje të fëmijëve të lidhur me zinxhirë, me shenja në duar e kushte skandaloze.

Disa mesazhe kanë mbërritur në redaksinë e emisionit “Stop”, që denoncojnë sërish situatën në Qendrën e Zhvillimit në Shkodër.

Gjatë komunikimit me “Stopin” një qytetar pretendon se banorët në këtë qendër dhunohen dhe keqtrajtohen.

Ndërkohë videot e dërguara tregojnë sërish qytetarë të lidhur e pa minimumin e kushteve. Ata vetë ankohen se nuk janë larë madje edhe mund të jenë ngacmuar seksualisht.

Banorja e Qendrës së Zhvillimit: Më kanë puth te goja.

Qytetari: Po tjetër, ça të ka bë tjetër?

Banorja e Qendrës së Zhvillimit: Te goja më ka puth.

Qytetari: Dhoma ku rrinë vajzat, këto janë kushtet. Këtu kanë pas vu hekurin, atë zinxhirin, që nuk është, kjo është dhoma e vajzave. Kurse kjo dhoma këtu përballë është e përfituesve, që e mbyllin me çelës. Ja vendi tjetër, ku vejnë hekurin me i lidh, ja dhe këtu, ja dhe këtu. Ja kjo është një banjo, kjo e dyta, ja dera e prishur. Ja dhe këtu, ku bëhet dushi! Ja Menimi, duke kaluar me shtupë, dyert e mbyllura, s’kemi kushte fare.. Menim, përshëndete kamerën! Përshëndete kështu! Bëje me dorë! Këto kaliroferat nuk na i ndezin fare.

Në faqen e Bashkisë së Shkodrës thuhet, se Qendra e Zhvillimit njihet si pikë referimi në zonën veriore për personat me aftësi ndryshe.  Aktualisht në këtë institucion rehabilitohen 93 persona: 46 ditorë dhe 47 rezidencialë. Drejtuesi i emisionit, Saimir Kodra tha se pret një reagim të bashkisë dhe institucionit dhe që kjo situatë të marrë fund.

“Kam përshtypjen që situata në këtë qendër ëshhtë përkeqësuar, pasi dikur ishin me zinxhirë dhe dryna. Siç duket ato para vidhen, abuzohen apo kushedi se çfarë dhe kanë kaluar nëpër litar, nëpër shami, nëpër gjëra që i lidhin nëpër krevatë. Një tmerr i madh. Kam dhe video të tjera, por nuk doja të agravoja situatën. Pres një reagim të bashkisë dhe institucionit. Çfarëdo që të bëni dhe të shmangni do vijë dita që do marrim një informacion në mos ne, mediat e tjera në lidhje me trajtimin e këtyre njerëzve. Duhet të marrë fund njëherë e mirë”, tha Kodra.