Manchester City i zgjat kontratën, paga e majme që do të marrë Joao Cancelo

Një nga futbollistët që ka spikatur më së shumti te Manchester City nën drejtimin e trajnerit Pep Guardiola ka qenë Joao Cancelo, i cili preferohet nga spanjolli për mbulimin me sukses të disa roleve në fushë.

Dhe, jo më kot “Qytetarët” shpenzuan 60 milionë euro për ta transferuar portugezin nga Juventusi në vitin 2019, teksa deri në këtë pikë të karrierës me City-n, Cancelo ka regjistruar 106 paraqitje ndërsa ka fituar edhe tre trofe.

Në këtë formë, ishte e pashmangshme oferta në drejtim të 27-vjeçarit për të rinovuar kontratën me një përmirësim të pagës prej 80.000 paundëve në javë.

Sakaq, Cancelo nuk është menduar gjatë për propozimin dhe ka pranuar ofertën e klubit teksa tashmë është i lidhur me anglezët deri në vitin 2027.

Në zyrtarizimin e marrëveshjes, drejtori i Manchester City, Txiki Begiristain ka folur për Cancelon ndërsa ka pasur vetëm lëvdata për anësorin.

“Cancelo ka vendosur standarde të larta dhe çdo lojtar i ri duhet të marrë shembull nga ai. Ai ka shumë talent, por dallohet edhe për dedikimin e prandaj luan shumë ndeshje në nivelin më të lartë. Vazhdimësia e tij në dy sezonet e fundit ka qenë e mrekullueshme, Cancelo mund të mbuloj shumë pozicione në fushë dhe kudo të vendoset luan në perfeksion. Kjo është ëndrra e një menaxheri, jam shumë i lumtur që ai rinovoi”, u shpreh Begiristain.