Vrasja e Bledar Muçës, Daily Mail: Si Anversa është kthyer në kryeqytetin evropian të kokainës

Një gangster shqiptar me një pasaportë britanike false u qëllua pranë shtëpisë së tij në Anversë, Belgjikë, mes luftës së përgjakshme për kontrollin e tregtisë së drogës në qytetin belg, i cili është bërë kryeqyteti evropian i kokainës.

Bledar Muça u qëllua gjashtë herë teksa kthehej në shtëpi të shtunën në mbrëmje, vetëm pak metra larg stacionit të policisë, nga dy persona që nuk janë identifikuar, dhe autoritetet deklarojnë se nga të gjitha shenjat duket si një vrasje me pagesë.

Muça, 39 vjeç, u kap në kamerat e sigurisë më 2016 me një pistoletë në dorë teksa shtinte kundër policisë, ka qenë në Anversë në dy vitet e fundit si një anëtar i rëndësishëm i njërës prej bandave shqiptare të drogës në qytetin port, i cili është kthyer në epiqendrën e trafikimit të kokainës në Evropë nga Amerika e Jugut.

Tradicionalisht e njohur për tregtinë e diamanteve, Anversa është pushtuar nga gangsterët shqiptarë ndërsa policia lokale po e humb betejën kundër karteleve të drogës.

Paratë e gjeneruar nga industria shumëmiliardëshe e kokainës ka korruptuar personat me pozitë dhe shumë zyrtarë publikë tashmë janë arrestuar.

Raundi i fundit i arrestimeve përfshinte një kryeinspektor që akuzohet për shitje informacioni bandave kriminale, si dhe një administrator spitali i dyshuar për kërkimin e adresave të punëtorëve të portit që mund të blihen me pará.

Gangsterë si Muça shënjestrojnë njerëz me pozitë duke gërmuar në çdo aspekt të jetëve të tyre, për të parë nëse kanë borxhe apo u ka mbetur ndonjë këst kredie pa paguar, e nëse janë persona të dobët e që mund të tundohen nga ofrimi i parave.

Vrasja e Muçës në rrugët pa ligj të Anversës ka hedhur dritë mbi problemet e qytetit në lidhje me trafikun e kokainës, që shpesh është përshkruar si një cunami që e ka mbytur me korrupsion e dhunë teksa paratë e drogës përdoren për të blerë policinë, punonjësit e doganave dhe punëtorët e porteve për të mundësuar lulëzimin e tregtisë së paligjshme.

Vitin e kaluar, në portin e Anversës u kap një sasi rekord prej 90 tonësh kokainë me vlerë 13 miliard euro, por sasitë e kapura nga policia, më të lartat në Evropë, mendohet se janë vetëm një e dhjeta e kokainës që trafikohet përmes qytetit.

Dhuna ka shpërthyer në qytet me sulme me bomba dhe hapje zjarri nga makinat, por zyrtarët lokalë thonë se shqetësimi më i madh është mënyra se si fluksi i kokainës ka ndikuar mbi qytetin. Kryebashkiaku Bart De Wever është i indinjuar që biznesmenë të mëdhenj të qytetit, të mbështetur me pará droge, po kërkojnë të infiltrojnë dhe influencojnë në politikën e Anversës.

Një zyrtar policie tregon se si ‘lokale pitesh e berberhane janë bosh’ por në letër regjistrojnë fitime të mëdha, ndërkohë që edhe çmimet e pronave në Anversë janë rritur sepse paratë e fituara nga droga nxjerrin jashtë loje klientët e ligjshëm.

Vitin e kaluar, De Wever u vu nën mbrojtjen e policisë për shkak të pretendimeve se bandat e drogës donin ta vrisnin.

Ai tha për MailOnline: ‘Anversa është porti i parë që synohet për tregtinë me Amerikën. Ne jemi krenarë për të marrëdhënie të fortë tregtie, e cila rrit lidhjet e ngushta midis qytetit tonë dhe Amerikës Latine. Megjithatë, në vitet e fundit, trafiku i kokainës është rritur në mënyrë eksponenciale. Pasojat janë tepër të dukshme, sidomos për qytetet port’.

‘Fatkeqësisht, edhe vendet e origjinës, si Kolumbia, po i vuajnë pasojat. Ndikimi i krimit të organizuar dhe paratë e krimit po e minojnë stofën e shoqërisë sonë’.

Anversa-shtrirë në mbi 120 kilometra katrorë-është bërë epiqendra e tregtisë së kokainës në Evropë pjesërisht për shkak se prej shumë kohësh ka qenë porta hyrës e importeve evropiane nga Amerika e Jugut.

Lidhjet ekzistuese të transportit bëjnë që kartelet evropianë të drogës ta përdorin përherë e më tepër si nyje globale për importimin e kokainës në tregjet e Evropës, Rusisë e Lindjes së Mesme.

Operacionet e gangsterëve që kanë qenë në gjendje të korruptojnë punonjësit dhe zyrtarët lokalë për nxjerrjen e kokainës jashtë Anversës e kanë bërë qytetin edhe më tërheqës për kartelet. Po ashtu, pozicioni i përshtatshëm, pranë Holandës, ku përpunohet e paketohet pjesa më e madhe e kokainës para shpërndarjes më tej, përbën një tjetër faktor të rëndësishëm.

Shumë prej zonës portuale përshkohet nga rrugë të hapura për publikun, duke e bërë edhe më të lehtë për bandat e drogës të përpiqen të korruptojnë punonjësit teksa ata shkojnë në punë.

MailOnline kaloi thuajse dy orë javën e kaluar duke ecur e ndaluar pranë maleve gjigantë me kontejnerë, pa u ndaluar apo parë me dyshim asnjëherë.

Autoritetet dhe punonjësit e portit të Anversës janë joshur me shuma të mëdha parash nga bandat në shkëmbim të informacionit apo të lejimit të kontejnerëve të mbushur me tonelata kokainë.

Sipas burimeve në port, trafikantët ofrojnë sasi të barabarta me 50-80 mijë paund në një herë të vetme.

Disa operatorë vinçash mendohet se paguhen mijëra euro për fshehjen e kontejnerëve me ngarkesa droge ose t’i ndërrojnë me kontejnerë të pastër para se të bëhen kontrollet.

Problemi është bërë aq serioz sa që sindikata e punonjësve të portit të Anversës ka nxjerrë një video që flet për rreziqet që iu sjell anëtarëve të saj ofrimi i ryshfeteve.

Videoja e paralajmëron personelin të shmangë veshjen e rrobave që mund t’i identifikojnë si punëtorë porti kur nuk janë në punë dhe të mos flasin për punën që bëjnë në bare e restorante. Po ashtu, i paralajmëron të kenë kujdes nga njerëz që përpiqen të hyjnë në biseda me ta apo nga kërkesa për miqësi nga profile fals në median sociale.

Vitin e kaluar, mes shumë të arrestuarve që përfshinin punonjës porti, vinçierë e të tjerë, më i bujshmi ishte rasti i një kryeinspektori të policisë belge, i njohur si vetëm si ‘Dario L’ për shkak të ligjeve të rrepta belge të privatësisë, një bodybuilder 30-vjeçar, i cili akuzohej për shitje informacioni nga databaza e policisë. Ai dhe bashkëpunëtori i tij ‘Alain D.R.’ janë akuzuar me pjesëmarrje në organizatë kriminale, korrupsion dhe shkelje të sekretit profesional.

Mes arrestimeve ishte edhe ‘Natalie D’, 41 vjeç, zyrtare e zyrës së taksave, dhe ‘Femke G’, administratore spitali që përdorej nga bandat për të kërkuar adresa dokerësh me qëllim që ata t’i vizitonin e t’u ofronin pará apo t’i kërcënonin nëse nuk bashkëpunonin.

Pjesa më e madhe e kokainës që shkon në Anversë besohet se vjen nga Kolumbia, ku kartelet e drogës kanë bërë Evropën si destinacionin kryesor, pasi e shohin tani si treg më fitimprurës se SHBA.

Anversa ka pasur lidhje tregtare tradicionale me Amerikën e Jugut, prej nga importoheshin sasi të mëdha mallrash, që qymyri e mineralet te kafeja e lëngu i portokallieve, çka e bën më të lehtë fshehjen e kokainës mes tyre.

Autoritetet thonë se sasia më e madhe e kokainës që vjen në Anversë më pas kalon e përpunohet në Holandë, prej nga shpërndahet në gjithë Evropën.

Përgatiti: SYRI.net