VIDEO-SYRI TV/ Erion Veliaj zhytet në tenderin 5 mln euro të plehrave, APP vulos skandalin

Bashkia Tiranë është përfshirë në një skandal në tenderin 5 mln euro të pastrimit të qytetit. Veliaj shpalli fitues kompaninë Korsel, e cila mori pjesë në garë me dokumente të rreme edhe pse, kryebashkiaku ishte i informuar për këtë problem. Por pas shqyrtimit të ankesave nga operatoret konkurrente, Agjencia e Prokurimit Publik rrëzoi vendimin e Bashkisë Tiranë dhe përjashtoi me 18 muaj nga gara për tenderat, kompaninë e zgjedhur nga Veliaj, Korsel.

Nga SYRI TV

Agjencia e Prokurimit Publik ka vendosur që kompaninë ‘Korsel’ të përjashtohet për 18 muaj nga pjesëmarrja në tendera, pasi ka keqinformuar me dokumentet për procedurën me vlerë rreth 5 milionë euro për pastrimin e zonës Tirana II, të zhvilluar në fillim të vitit 2021.

Ky vendim vulos edhe një prej skandaleve më të rënda financiare të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe stafit të tij të ngushtë. APP vendosi përjashtimin e kompanisë ‘Korsel’, pasi u informua nga Komisioni i Prokurimit Publik se shoqëria private kishte përdorur të dhëna të rreme për t’u përfshirë në tender.

E gjithë procedura nisi nga ankimi i një prej operatorëve ekonomikë, të cilët kundërshtuan vendimin e Bashkisë së Tiranës për të shpallur fitues kompaninë ‘Korsel’ në tenderin me fond limit rreth 550 milionë lekë të reja pa TVSH. Kompania ankimuese iu drejtua fillimisht Bashkisë së Tiranës, ku e informonte se fituesi i tenderit kishte përdorur të dhëna të rreme për disa prej automjeteve që do të përdorte në pastrimin e kryeqytetit.

Bashkia e Tiranës refuzoi të pranonte provat dhe këmbënguli që fitues duhej shpallur ‘Korsel’. Rasti u mor në shqyrtim nga Komisioni i Prokurimit Publik. Fillimisht, KPP vendosi pezullimin e procedurës, duke penguar Bashkinë e Tiranës që të nënshkruante kontratën me ‘Korsel’.

Më tej, KPP, me vendimin përfundimtar të marrë në Qershor 2021, konstatoi si të drejta pretendimet e operatorit ankimues, duke rrëzuar në këtë mënyrë edhe qëndrimin e Bashkisë së Tiranës, e cila ishte e vendosur për mbylljen pa zhurmë të tenderit 5 milionë euro.

Çështja iu rikthye sërish Agjencisë së Prokurimit Publik, e cila është struktura përgjegjëse për hetimin administrativ ndaj kompanive që paraqesin sjellje abuzuese në tendera. Pas hetimit 7-mujor, Agjencia e Prokurimit Publik vendosi në 27 Janar 2022 që të përjashtojë kompaninë ‘Korsel’ nga pjesëmarrja në tendera për një periudhë 18-mujore.

APP deklaron se është vendosur përjashtimi i kompanisë private për keqinformim në procedurën e prokurimit ‘Shërbimi i Pastrimit të Tiranës, Zona 2’, me fond limit 548 milionë lekë të reja, të zhvilluar nga Bashkia e Tiranës në datën 25 Janar 2021.