EMRI/ Arrestohet, 36-vjeçari, i kapet në makinë kokainë e ndarë në doza

Policia e Fierit ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta.

Uniformat blu kanë arrestuar 36-vjeçarin Vilson Plaka, i cili me makinën e tij tip “Benz” po transportonte doza kokaine gati për shitje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Njoftimi i plotë:

Policia Fier

Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza.

Vihet në pranga drejtuesi i mjetit ku u gjetën doza me lëndë narkotike kokainë.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore se një shtetas që qarkullonte me automjet, shpërndante lëndë narkotike të forta në doza, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Seksionin Operacional në DVP Fier, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e mjetit të dyshuar.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin V. P. (J)., iu gjet sasi lëndë narkotike kokainë e ndarë në 35 doza gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe 1 celular.

Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier bënë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, shtetasit V. P. (J)., 36 vjeç, banues në Kuman, Roskovec.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.