Kosovarëve më një telefonatë mund t'u ikë pasuria, bankat po i paralajmërojnë si të mbrohen

Janë një numër i madh i kosovarëve që u janë drejtuar bankave për të lënë aty “pasurinë” e tyre. Klientët e bankave vendosin të deponojnë të hollat e tyre nëpër banka, me besimin se aty janë më të sigurta se kudo tjetër. Por jo rrallë herë besimi ka rrezikuar të thyhet kur sistemi bankar ka rrezikuar të bie pre e sulmeve kibernetike.

Edhe para pak ditësh në Kosovë bankat më në emër u bën thirrje klientëve që mos të ndajnë me asnjë të dhënat e tyre personale bankare,  kjo se një cenim i mundshëm mund t'u ndodhë atyre, shkruan Syri net Kosova.

Banka Kombëtare Tregtare (BKT), është një nga bankat që vepron në Kosovë dhe e cila ditë më parë pati një kërkesë specifike nga klientët e saj. Nga BKT njoftuan klientët se kanë informata se sistemi i tyre bankar ka gjasa të bie pre e sulmeve kibernetike, andaj kërkuan nga ata që mos të japin informacione personale në telefonatat e mundshme që u vijnë në emër të bankave.

“Ju rikujtojmë që asnjëherë mos t’i ndani informatat mbi kartelat tuaja bankare. BKT Kosova në asnjë rast nuk i thërret klientët për të kërkuar informata mbi kartelat bankare dhe fjalëkalimet, andaj keni kujdes gjatë komunikimit dhe asnjëherë mos ndani informata personale përmes telefonit.

Nëse pranoni thirrje të tilla në emër të BKT Kosova dhe kërkojnë informacione mbi të dhënat tuaja bankare, ju lusim që të kontaktoni në Qendrën e Thirrjeve për klientë apo të vizitoni degën më të afërt të BKT”, thuhet në njoftimin e tyre.

Njësoj ka vepruar edhe banka tjetër, NLB e cila ka treguar saktësisht se cilat të dhëna nuk duhet t’i ndajnë klientët asnjëherë përmes telefonatave.

“Ju njoftojmë që NLB Banka asnjëherë nuk i thërret klientët për të kërkuar informata mbi kartelat bankare të tyre, prandaj ju lusim që asnjëherë të mos i ndani këto informata përmes telefonit: Numrin e llogarisë bankare, Numrin e kartelës bankare (PAN), Fjalëkalimet kartelave tuaja bankare (PIN)”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Edhe Raiffeisen Bank ka lutur klientët e saj që të mos ndajnë me të tjerë informacione mbi kartelat e tyre bankare.

“Së fundmi kemi pranuar ankesa nga klientët që kanë pranuar thirrje në emër të Bankës Raiffeisen, duke ju kërkuar që të ndajnë informatat e kartelës së tyre bankare. Ju njoftojmë që Banka Raiffeisen asnjëherë nuk i thërret klientët për të kërkuar informata mbi kartelat bankare të tyre, prandaj ju lusim që asnjëherë të mos i ndani këto informata përmes telefonit”, thuhet ne njoftimin e kësaj banke.

Postimi:

Megjithatë situatës alarmante po i hedh ujë eksperti i sigurisë kibernetike, Hekuran Doli i cili ka deklaruar për Syri net Kosova se sektori bankar është ndër sektorët më të sigurt në Kosovë.

“Në aspektin e sigurisë se informacionit, mendoj se sektori bankar është një nder sektorët më te sigurta në Kosove, kjo ndoshta për faktin se bankat në Kosovë duhet t’i nënshtrohen auditimeve të vazhdueshme si dhe duhet t’i harmonizojnë politikat e tyre me kushtet e Bankës Qendrore sa i përket sigurisë se informacionit. Pothuajse të gjitha bankat në Kosove kërkojnë vërtetim me dy faktor për të autorizuar qasjen në të dhëna online. Kështu që edhe nëse dikush arrin ta marr fjalëkalimin përmes telefonatës, nevojitet qasja fizike në telefon për të ditur kodin e autorizimin, i cili është i domosdoshëm për të realizuar qasjen në e-banking”, është shprehur ai për Syri net Kosova.

Por eksperti e pranon se në vendin tonë vjedhja e identitetit është një fenomen, andaj sipas tij bankat duhet të punojnë në drejtim të vetëdijesimit të klientëve.

“Megjithatë, vjedhja e identitetit është një fenomen prezent në Kosovë, të cilat informacione mund të përdoren për qëllime të ndryshme keqbërëse duke përfshi edhe marrjen e qasjes në llogari bankare, e cila jo domosdoshmërish është qasje online. Duke pasur parasysh se moshat më të shtyra të qytetarëve janë më pak të informuar mbi shërbimet online dhe rëndësinë e sekretit të informacionit, bankat mund te bëjnë me shumë në vetëdijesimin e konsumatorëve mbi higjienën kibernetike”, ka shtuar ai.
 

Syri net Kosova është interesuar të dijë nëse deri më tani në Polici ka shkuar ndonjë denononcim qoftë nga bankat, qoftë nga klientët e tyre për cenim të të dhënave personale të klientëve, por që nga të njëjtit nuk ka marrë tash e disa ditë përgjigje.