Këshillimi koreano-verior për të fshehur zullumet e qeverisjes!

1. ER ka nisur “procesin e këshillimit” me qytetarët shqiptarë pasi ka bërë çfarë i ka dashur qejfi për më shumë se 9 vjet duke i mashtruar me “dajre e daulle”, me “timon e tepsi”, me premtime të pambajtura, thjesht e vetë, për të fshehur zullumet e kryera në krye të sektit. Ky këshillim në një vend anëtar të NATO-s, që kërkon të hapë negociatat me BE, ngjan si dy pika uji me këshillimet e “vijës së masave” të periudhës komuniste, me “këshillimet koreano-veriore”, me “këshillimet kastriste”, me “këshillimet çaviste”. Me “këshillimet” që kërkonin të na mbushnin mendjen se “patatja është edhe bukë edhe gjellë...”. Ky është “këshillimi” që nuk ndodh në asnjë vend të botës demokratike nga vijnë të gjithë ambasadorët e akredituar në Tiranë dhe që KM kërkon të na mbushë mendjen se do të jetë i suksesshëm dhe “habitet” përse kundërshtohet nga qytetarët... që kanë kuptuar se përmes këtij këshillimi synohet fshehja e zullumeve të deritanishme të qeverisjes.

2. Ja sesi reagon një qytetar në rrjetet sociale lidhur me këtë këshillim sureal: “...A e kuptoni o popull se çfarë do që të jepni ju si mendim për pyetësorin e Sulltan Surrelit është veçse një kurth, sepse Ai s’e çan fare kokën për ju? Sepse në fund të fundit, Ai do vendosë për gjithçka që do ta detyrojnë klanet mafioze. Për më tepër, Ai po vjedh votat në zgjedhjet parlamentare e lokale, ku në numërim janë edhe anëtarët e opozitës dhe jo me tani që të gjithë pyetësorët e këtij këshillimi do shkojnë në kryeministri dhe vetë Sulltani do t’i seleksionojë e përpunojë...! Kësaj i thonë t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë!”.

3. Dikush, sidomos rilindasi “mendjendritur” do të pyeste: e ç’të keqe ka që KM kërkon të këshillohet me qytetarët duke bërë pyetje për çështje që ju interesojnë atyre? Ku është e keqja këtu? Pa e zgjatur, më duhet të pohoj me zë të lartë se kjo është mbi të gjitha antidemokratike. Sepse në demokraci, ku funksionon shteti ligjor, të gjithë veprimet, përfshi edhe shprehja e opinioneve nga qytetarët kryhet konform Kushtetutës. Në të gjithë Kushtetutat e vendeve demokratike, përfshi edhe Shqipërinë me demokraci hibride, Këshillimi i qeverisë qendrore e vendore apo parlamentit me qytetarët realizohet përmes REFERENDUMIT, i cili përcaktohet në KUSHTETUTËN DEMOKRATIKE si i vetmi mekanizëm i grumbullimit të opinioneve të qytetarëve për hallet, shqetësimet e problemet e tyre.

4. Për kryerjen e Referendumeve, pra se si realizohen dhe menaxhohen pyetësorët e opinionet e qytetarëve, miratohen ligje të veçanta sepse referendumet asnjëherë s’bëhen “fshatçe” si në Kubë nga Fidel Kastro, në Venezuelë nga Çavez, në Korenë e Veriut nga Kim Jong apo siç po tenton t’i kryejë ER në Shqipërinë me demokraci hibride! Do të pyeste në këtë rast ndonjë “rilindas i thekur”: po përse budalla është ER që bën këshillimin në këtë mënyrë? Përgjigja e thjeshtë është: ER, i dështuar në tre mandate të qeverisjes dhe pasi është konsumuar nga zullumet e mashtrimet e tij, kërkon të abuzojë e spekulojë edhe njëherë përmes këtij këshillimi sepse: i) së pari i bën ato jo përmes Referendumit siç kërkohet në Kushtetutë, sepse kështu “fshatçe” i manipulon lehtësisht; ii) së dyti, do të pyesë ata që do vetë, pra vetëm rilindasit; iii) së treti, përgjigjet e pyetjeve që ka ndërtuar ai vetë, te i cili askush s’ka më asnjë besim, do t’i grumbullojë e përpunojë vetë; iv) së fundmi, dhe kjo është më e rrezikshmja, përfundimet e nxjerra që i ka parafabrikuar do t’i paraqesë abuzivisht si opinione të tre milion shqiptarëve duke gënjyer e mashtruar përsëri se “do të bëjë pikërisht gjithçka kanë kërkuar 3 milion shqiptarë…!

5. Kështu përmes këtij këshillimi koreano-verior do të vendosë “me stilin pyet 100 vetë e bëj si di vetë”. Më konkretisht, për kultivimin e kanabisit mjekësor që tashmë e ka marrë vendimin me oligarkët në Shqipëri dhe “bosët” jashtë vendit. Për “Open Ballkan”, tashmë të vendosur me Vuçiç, që është politikë serbe, antikombëtare, antikosovare, antieuropiane e destabilizuese. Për ndërtimin e grataçelave, për pastrimin e parave të pista të krimit ndërkombëtar e të trafiqeve të drogës... E shumë projekte të të tjera duke i shitur të gjitha këto zullumet të tij si opinionet e qytetarëve të dala nga këshillimi.

6. Ka vetëm një rrugë e mënyrë të thjeshtë e efikase për të shpëtuar nga ky lloj këshillimi koreano-verior: Braktiseni këtë Këshillim sharlatanesk, këtë Këshillim me mashtruesin, këtë Këshillimit për të fshehur zullumet e 9 viteve, i cili pasi ka dështuar 9 vjet duke mashtruar me premtimet e tij idioteske, përpiqet që zullumet e qeverisjes së tij me “dajre, daulle, timon e tepsi” t’i riparaqesë si opinione të qytetarëve duke u hequr sikur i qan zemra për hallet e tyre! Braktiseni dhe vetëm talluni me këtë sharlatan mediokër e të rrezikshëm që di veçse të gënjeje, vjedhë e mashtrojë duke qenë shok e vllam i hajdutëve, kriminelëve e trafikantëve dhe trafikant i sovranitetit kombëtar, duke i ngulur thikën pas shpine Kosovës dhe për të hedhur në erë stabilitetin e Ballkani, vetëm për karrigen e tij!