VIDEO-SYRI TV/ Ardian Muka: Durrësi do bëhet sërish 'Perla e Mesdheut'

Ditën e diel u bënë publike emrat e kandidatëve të PD për kryetar bashkie, të cilët do të përfaqësojnë koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë’ në zgjedhjet e 6 marsit. Në një proces historik që u zhvillua për herë të parë në Shqipëri, demokratët e Vorës, Lushjës, Durrësit, Shkodrës, Dibrës e Rrogozhinës zgjodhën me votë përfaqësuesin në garën e ardhshme për bashkitë e tyre.

Në një lidhje me Skype me emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, ishte i ftuar urbanisti Ardian Muka, i përzgjedhur për të garuar në zgjedhjet e 6 marsit në Bashkinë se Durrësit.

Ai foli në lidhje me problematikat e këtij qyteti, atë çfarë nuk u bë kurrë për Durrësin dhe ato çfarë do të jenë prioritetet e tij nëse do të fitojë garën e 6 Marsit.

“Ka shumë problematika, ka problematika jo vetëm në urbanistikë, por zhvillimet në qytetin e Durrësit kanë qenë shumë ta pakta për fat të keq. Natyrisht për vizionin, ne do ta shpallim atë që do jetë edhe oferta që ne do t’ju bëjmë qytetareve. Qyteti i Durrësit është shumë i favorizuar për pozicionin gjeografik dhe për ato çfarë natyra i ka falur, kështu që ne do ta zhvillojmë planin mbi këto pika të forta, në turizëm, transport, tregti dhe teknologji, kjo e fundit do të jetë nje risi që do t’i bëjë të rinjtë të mos largohen nga vendi. Në transport për pozitën gjeografike që qyteti ka është shumë e rëndësishme t’i kushtohet rëndësi. Porti aktual i Durrësit shfrytëzohet vetëm 40 përqind dhe i shërben vetëm Shqipërisë, dhe shumë pak Kosovës dhe Maqedonisë. Ajo që është vizioni i munguar i gjatë gjithë këtyre viteve është se Durrësi për rëndësinë që ka duhet të ishte porta hyrëse e Ballkanit dhe më tej. Porti aktual është një port i rrethuar nga qyteti, që nuk jep mundësi ekspansioni për zhvillimet  e reja që ne mendojmë se duhet të ketë qyteti. Propozimi i ardhur për ‘mega-portin’ e jahteve ishte një lëvizje totalisht korruptive, e cila u pa qartë, pasi kompania që e ka marrë këtë projekt ka bërë të njëjtën gjë dhe në Beograd dhe atje ka dështuar me sukses. Durrësi është kthyer në një pikë të pastër korruptive, ku po i merren ditën për diell rreth 80 hektarë tokë dhe rreth 40 hektarë ujë në vijën e parë të detit".

E përsa i përket mënyrës se si Muka po e përjeton këtë zgjedhje nga demokratët, ai tregoi se e vlerëson besimin që iu dha nëpërmjet votës së lirë edhe pse po mundohen ta ‘përbaltin’.

"Ata që bëjnë pjesë në grupin tonë politik u shprehën me votë dhe qasja ishe jashtëzakonisht pozitive. Do kishte pasur një pjesëmarrje akoma më të mirë, megjithatë demokratët e Durrësit e shprehën me votë për atë çfarë duan për të ardhmen e tyre. Po përpiqen ta bëjnë pis procesin, dhe ajo çfarë duhet t’i them pjesës tjetër, është se ata ishin të mirëpritur në këtë proces, pasi u propozua të ishin pjesë e tij, por nuk patëm një përgjigje pozitive", shtoi Muka.

Gjithashtu kandidati Muka theksoi se Durrësi meriton jo vetëm 'të shpëtohet', por edhe të bëhet ai që ka qenë, ‘Perla e Mesdheut’.

Për më shumë, ndiqni videon më poshtë: