SPAK kërkon 12 vite për Tahirin/ Çfarë ndodhi në seancën e djeshme

Fakte, prova, dëshmi dhe mohim akuzash! Kjo ka qenë gjithçka është thënë ditën e djeshme në sallën e gjyqit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsion dhe Krim të Organizuar teksa shqyrtohej seanca për pretencën e dhënë ndaj Saimir Tahirit dhe Jaeld Çelës.

E ndërsa Prokuroria pranë kësaj Gjykate ka kërkuar 24 vjet burg në total për të dy ish-zyrtarët e lartë, të pandehurit në proces dhe mbrojtësit e tyre kanë vijuar të kundërshtojnë akuzat dhe episodet e fiksuara në dosje që lidhen me trafikun ndërkombëtar të kanabisit.

Si Tahiri ashtu edhe Çela kanë kundërshtuar me forcë akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” për shkak se ata kanë pretenduar se e kanë kryer detyrën. Në rastin konkret, njëri si drejtues i Dikasterit të Brendshëm e tjetri si drejtues i Policisë së Vlorës, shkruan Panorama.

Ata janë ndaluar njëri te shkresat që ka dërguar në dy dikastere për fikjen e radarëve, konkretisht te Ministria e Mbrojtjes dhe te Policia e Shtetit, ndërkohë ish-kryepolici i Vlorës është mjaftuar me të qënurit në krye të dy operacioneve në zonat e Vlorës ku ka sekuestruar sasi të mëdha lënde narkotike.

Por pavarësisht mbrojtjes dhe kundërshtisë, SPAK-u pretendon se akuzat e ngritura ndaj tyre janë të faktuara dhe ata duhet të dënohen nga Gjykata me 8 vite burg, meqë do përfitojnë ulje nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar. Ditën e premte do të mësohet edhe fati i dy emrave të shumëpërfolur si pjesëmarrës në grup të strukturuar kriminal, ndërkohë që në atë dosje janë të përfshirë edhe emra të njohur të njohur të dënuar nga Italia.

Çështja “Tahiri” u regjistrua në GJKKO më 26 nëntor, ndërsa më parë ishte në ngarkim të Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit zbardhi vendimin për çështjen e ish-ministrit, ku u argumentua se ka pasur shkelje procedurale gjatë gjykimit të tij dhe ish-drejtorit Jaeld Çela. Me vendimin e marrë Gjykata e Lartë i dha një fitore procedurale Tahirit, ndërsa vendosi prishjen e vendimit të 26 qershorit 2020 të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe rikthimin e çështjes për shqyrtim te një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme të Apelit.