‘Kandidati i Dibrës’, Ristani: Premtim Kryemadhi nuk vjen nga LSI! Ka lidhje të forta në PD...

Arben Ristani, ka folur për primaret e zhvilluara në bazën e PD, ku fituan gjashtë kandidatë, që do të përfaqësojnë koalicionin PD (grupi Berisha) dhe LSI në zgjedhjet e pjesshme lokale.

I ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’, Ristani tha se këto primare ishin "demokracia në veprim". Ai shpjegoi procesin dhe u shpreh se pjesëmarrja ishte e lartë.

Ristani: Procesi i primareve është demokracia në veprim. Kur erdhi Clinton para disa vitesh, tha nëse doni të shihni demokracinë në veprim, ejani në Shqipëri. I njëjti vullnet i PD, bëri që këtë demokraci ta shohim gjatë primareve.

E nisëm në statutin që miratuam në 11 dhjetor. Sollëm risitë e një statuti që nuk e ka asnjë parti në Shqipëri. Rivendosëm referendumin, njohëm fraksionet. Risi që do t'i shohim në veprim. Filluam me primaret, meqenëse u shpall edhe data e zgjedhjeve lokale. Vendosëm që kandidaturat do të tërhiqen nga propozimet e anëtarësisë.

U zhvilluan primaret, një masivitet i anëtarësisë. Ju i patë rradhët. Në Shkodër, në Durrës. Ndoqa në dy nga degët në Vorë dhe Rrogozhinë, zhvillimin e primareve. Mediat kanë qenë prezent gjatë të gjithë kohës. Rezultati, gjashtë të propozuarit, figura shumë të mira.

Duke komentuar kandidatin e Dibrës, Premtim Kryemadhi, Ristani tha se nuk është kandidat i LSI, siç qarkulloi në disa qarqe, për shkak të mbiemrit të njëjtë me Monika Kryemadhin, por është një person me lidhje të forta me PD, të cilin e mbështet edhe LSI.

Ristani: Kandidatura e Dibrës, nuk është i LSI, mund të mbështetet nga LSI, por vjen nga Partia Demokratike, eksponent i PD dhe me lidhje të forta në PD.