Zgjedhjet e 6 marsit, Berisha: Do të dal çdo ditë në fushatë! Do shkel në çdo skaj të vendit

Lideri historik i PD, Sali Berisha tha në Çim Peka Live në Syri Tv, se do të dalë çdo ditë në fushatë dhe takime me qytetarët, për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. 

Berisha tha se do të shkelë çdo skaj të vendit për të bindur shqiptarët për votën e lirë dhe sovranitetin.

"Do të dal çdo ditë në fushatë. Projekti im ka qenë që të ve këmbën time dhe të shkoj në çdo skaj të këtij vendi. Dua të bind shqiptarët se ne si njerëz do të kemi dinjitet kur të votojmë të lirë, do të kemi dinjitetin kur të sjellim në parlament ata që votojmë ne, do të respektohemi nga miqtë dhe partnerët vetëm si vend sovran. Do bëj gjithçka për të bindur. Asgjë s'më sposton mua kurrë nga vlerat e demokracisë amerikane e europiane. Ne do të luftojmë me të gjithë forcën tonë për secilën prej tyre që t'i fitojmë. Nuk them 100%", u shpreh Berisha.  

"Unë u drejtohem zgjedhësve shqiptarë, atyre të cilët besojnë në sovranitetin e vendit të tyre, që nuk shiten për 200-300 euro, ndonëse jetojnë në dhimbje ekonomike, të atyre që nuk shiten për një vizë. Vetë Basha nuk e kishte vizën. Fitoi vizën. Se atij i ishte hequr viza. Marrëveshja parashikon dhënien e vizës. Jam i bindur që ajo marrëveshje zbatohet".