Milani merr një 16-vjeçar në ditën e fundit të merkatos

Milani ka qenë një ndër skuadrat që ka bërë më pak lëvizje në merkato në Serinë A.

Edhe pse pretendentë për titull, kuqezinjtë kanë bërë pak ndërhyrje për të përmirësuar skuadrën, ndryshe nga klubet e tjera rivalë.

Kuqezinjtë ishin më të përqendruar te bilancet gjatë kësaj dritareje të merkatos, duke mos rënduar më shumë arkat e klubit dhe duke menduar më shumë për të afruar lojtarë të rinj të cilët mund të jenë baste për të ardhmen.

Kështu, në ditën e fundit të merkatos, nuk ka patur lëvizje të mëdha, por është afruar një tjetër lojtar duke menduar pikërisht për perspektivën.

Gjatë ditës së sotme, klubi ka siguruar në huazim deri në fund të sezonit një djalosh 16-vjeçar irlandez që shihet si premtim për të ardhmen.

Mbrojtësi Katal Hefernan ka kaluar te kuqezinjtë nga radhët e Kork Sitit, periudhë gjatë së cilës ai do t’i bashkohet ekipit të të rinjve, ndërsa do të shihet nëse ka vlera të nënshkruhet një kontratë afatgjatë me të.