I fsheh gjithmonë emocionet, por kjo histori i kujtoi princit William momentin më të vështirë që ka kaluar në jetë

“E di si ndihesh, por me kalimin e kohës gjërat do të bëhen më mirë”, janë këto fjalitë që princi William i tha një djali njëmbëdhjetëvjeçar para disa ditësh në Lancashire, me të cilin e bashkonte i njëjti fat i trishtë: të dy kanë humbur mamatë.

Duka i Cambridge mori pjesë në përurimin e një qendre të re sociale për njerëzit në nevojë në Burnley, ku u njoh nga afër me dhjetëra histori, por ajo që e preku ishte ajo e Deacon Glover, i cili kishte humbur para pak kohësh të ëmë, Grace, në një aksident automobilistik, njëlloj si princeshë Diana.  

 

Princi William është treguar gjithmonë i rezervuar për sa i përket jetës personale, madje në shumë raste ai ka pranuar se për shkak të presionit të vazhdueshëm si trashëgimtari më i afërt në linjën e familjes mbretërore, është detyruar shpeshherë të ndrydhë ndjenjat dhe të mos flasë për vdekjen e së ëmës, por është diçka që akoma nuk e ka kapërdirë dot.

 

Sipas të pranishmëve, William u tregua shumë i butë me djalin e vogël, madje e përqafoi disa herë dhe folën si dy miq.

Ata bënë edhe foto bashkë dhe princi i këshilloi që sa herë t'i mungonte mamaja t'i shkruajë një letër, ashtu siç bënte dhe ai vite më parë.