‘Rotary International’ në Presidencë, Meta: Mirënjohës për kontributin ndaj 100 fëmijëve shqiptarë me probleme kardiake

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka pritur Presidentin e “Rotary International”, Shekhar Mehta.

Në postimin e tij në Facebook, kreu i shtetit thekson se i ka shprehur mirënjohjen Mehtas për ndihmën e dhënë ndaj fëmijëve shqiptarë me probleme kardiake.

“Jam i lumtur për rritjen e pranisë dhe të kontributit të vyer të “Rotary International” për shumë çështje sociale në vendin tonë, nën moton frymëzuese “Shërbe për të ndryshuar jetë” (#Serve to change lives)”, thotë Meta ndër të tjera.

Postimi i Ilir Metës:

Kënaqësi të prisja sot, në një takim të përzemërt, Presidentin e "Rotary International", z. Shekhar Mehta.

E falenderova me shumë mirënjohje për kontributin bujar dhe human, për të ndihmuar 100 fëmijë shqiptarë me probleme kardiake, për t’u kuruar dhe marrë trajtimin e duhur shëndetësor jashtë vendit, mbështetur nga "Rotary International".

Inkurajues dhe që do të ketë mbështetjen time të plotë do të jetë edhe programi interaktiv në mësimdhënie, në shërbim të nxënësve të ciklin parauniversitar, si dhe të gjitha nismat e tjera të kësaj organizate në fushën e shëndetësisë dhe jo vetëm.

Jam i lumtur për rritjen e pranisë dhe të kontributit të vyer të "Rotary International" për shumë çështje sociale në vendin tonë, nën moton frymëzuese “Shërbe për të ndryshuar jetë” (#Serve to change lives).