A duan luftë rusët? Një tërmet gjeopolitik në Evropë dhe pasojat e tij

Nga Valeriy Kravchenko 

Drejtor i Qendrës për Siguri Ndërkombëtare, Kiev

Mbeten vetëm një pyetje dominuese në fillim të 2022: Kur do të guxojë Rusia ta sulmojë Ukrainën.

Sfondi olimpik

Entuziastët e konspiracioneve i kanë sytë te simbolet e Lojërave Olimpike, koha e preferuar nga Putin për aventura ushtarake (Gjeorgjia 2008, Ukraina 2014). Disa madje përhapin edhe histori për një kërkesë të Xi Jinping për ta shtyrë ndërhyrjen edhe për pak kohë për të mos hedhur hije mbi Lojërat Olimpike Dimërore e për të mos prishur imazhin. Sikur ai të mos ishte prishu me kohë nga skandalet e dopingut që do ta bëjnë Rusinë të konkurrojë nën vëzhgimin e rreptë të Komitetit Olimpik, nga shtypja e ujgurëve dhe shkelja e të gjitha llojeve të të drejtave të njeriut (si zhdukja e një tenisteje, e dashura e një funksionari të partisë). Pa përmendur këtu COVID-19 dhe historinë e origjinës së tij nga laboratori në Wuhan. Lojërat Olimpike që do të bojkotohen nga të gjithë liderët e botës perëndimore... Ka më keq?

Atëherë, nëse nuk është për shkak të Lojërave, atëherë për çfarë? A mund të kthehet pas Putin, por jo më 1997? Për çfarë ka nevojë plaku i Kremlinit për të shpëtuar fytyrën?

Psikologjia e të fortit

Çështja është se ai nuk ka aspak ndërmend ta shpëtojë. Rusia krijoi një krizë globale nga hiçi, aq më pak tani Putin nuk do të kërkojë ndjesë e të lutet për shkuar në shtëpi. Aq më tepër se asgjë nuk është mirë atje – me përkrahjen personale për presidentin në nivelin më të ulët historik, Navalny në burg, ekonomia në vendnumëro dhe humbjet nga Covid. Prandaj Putin ka nevojë për lajme të mira dhe për një projekt vigan për t’u ngritur nga hiri. Këtë herë do të jetë perandoria sovjetike që do të ngrihet. Dhe nuk ka perandori pa Ukrainën. Një luftë e vogël (apo ndoshta jo dhe aq e vogël) fitimtare – ku e kemi parë gjithë këtë gjetkë?

Putin inskenoi një tërmet gjeopolitik. Psikologjia e të fortit (të cilën Rusia e ka kthyer prej kohësh në ndërkombëtare) dikton kushtet për mbijetesë në këtë kaos. Dhe rregulli i parë është ta mbarosh atë që nise. Rregulli i dytë është godit gjithmonë i pari, ashtu ke shans të godasësh dy herë. Rregulli i tretë është që në luftë nuk ka rregulla. Nuk ka duele, romancë, dorashka të bardha. Nëse mundesh ta ngulësh thikën nga mbrapa, bëje! I katërti e i fundit është që gjithmonë lufto në fushën e kundërshtarit. Edhe më mirë, merre atë fushë për vete, sidomos në rast se nuk të përket, por që të pëlqen ta marrësh. Rregulli i fundit është i gjithi sipas mësimeve të shkollës diplomatike të Andrej Gromikos – ‘Gjithmonë këtko atë që nuk të përket. Kur të të japin gjysmën, refuzo dhe mos e merr. Por nëse të japin dy të tretat, atëherë je diplomat i zoti’.

Ukraina Sovjetike

Prandaj, nuk është Ukraina në lojë në këtë betejë, apo më saktë jo e gjitha dhe jo e vetmja. Me siguri jo pushtimi dhe vendosja e një qeverie kukull në Kiev, që do të ishte e vështirë t’i mbaje atje. Dhe Perëndimi me siguri që do të reagojë për Kievin. Ndoshta interesi është pak më i ulët – Ukraina Sovjetike. Ndoshta, me qendrën historike në Harkov, pasi rusët janë njerëz sentimentalë. Meqenëse kështu ndodhi më 1922 (dhe Bashkimi Sovjetik do të mbushë 100 vjet më 30 dhjetor 2022), duhet të përsëritet, thonë. Dhe për ta bërë analogjinë të përsosur, gjej dikë vendas, me mbiemër të ngjashëm me Muravjov, si protezhé... Natyrisht, është e nevojshme ta ulësh Ukrainën duke i shkëputur pjesën e përparme dhe duke e detyruar në një paqe poshtëruese. Sigurisht, siç spekulon Kremlini, komediani V. Zelensky nuk është komandant suprem. Dhe ukrainasit pa besim te qeveria dhe liderët janë të marrë fund. Me qëllim përforcimin e këtij efekti, një demonstrim i fuqisë ushtarake të Rusisë do të jetë më i fortë se kurrë. Dhe jo vetëm Rusia, llogaritni edhe bjellorusët që janë pjesë e Shtetit të Bashkuar. Lukashenko tashmë po merr kreditet e Zhirinovskit duke tallur Kievin dhe Perëndimin.

Le ta imagjinojmë atë ditë. Trupat ruse zbresin në Azov, bllokimi i rrugëve detare ukrainase në Detin e Zi, operacionet ajrore dhe goditjet me raketa në objektivat ushtarakë dhe ndërmarrjet kritike për infrastrukturën. Mbyllje e komunikimit dhe internetit, ndërprerje e energjisë, mbyllje e sistemit të furnizimit me ujë dhe e ujërave të zeza – të gjitha këto fusin në panik qytetet e mëdha. Bandat dalin rrugëve, batalionet vullnetare vendosin barrikada në daljet e qytetit dhe nuk lënë askënd të largohet. Policia dhe ushtria janë të çorganizuara dhe qeveria është nominale. Ditën e dytë, kolonat e tankeve ruse dhe paqeruajtësit e CSTO (trupa ushatarake aziatike të formuara nga vende ish-sovjetike) mbërrijnë për të stabilizuar situatën. Ata mbërrijnë përmes rrugëve publike. Armata nga Harkovi shkon në Poltava, Dnipro dhe Zaporizhia. Kievi rrethohet nga tri anë – perëndim, veri dhe lindje. Operacioni-demonstrimi zgjat një javë, më pas vjen një skenar politik me ndarjen e Ukrainës dhe regjime kukull. Ky është plani maksimal. Sigurisht, nuk ka gjasa të jetë saktësisht kështu, por...

Pesë arsye strategjike

Pse Rusia do të kishte nevojë për këtë tani? Nga pikëpamja strategjike, ekzistojnë pesë arsye:

1) Ukraina është çelësi i perandorisë. Ukrainasit, sipas Putinit, janë një popull, Malorossy (rusët e vegjël). Dhe, sinqerisht, ka mjaft njerëz në lindje dhe jug të Ukrainës që mendojnë kështu. Çdo vit numri i tyre po zvogëlohet, ndaj nuk ka arsye për të humbur kohë.

2) Goditja ndaj Perëndimit kolektiv do të thotë hakmarrje ruse për humbjen në Luftën e Ftohtë. Sipas Putinit dhe propagandës ruse, Federata Ruse në Ukrainë nuk bën luftë me ukrainasit, por me Perëndimin, ose më mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ose, të paktën kështu dëshiron të mendojë presidenti rus.

3) Sulmi ndaj demokracisë dhe vlerave liberale. Ukraina demokratike është e bezdisshme për Putin, një shembull i qartë se republikat post-sovjetike kanë një rrugë tjetër për të bërë (në fund të fundit, e njëjta gjë mund të thuhet për Tajvanin dhe Kinën). Një Ukrainë e tillë duhet të shkatërrohet. Në fund të fundit, kjo është pjesë e një tendence mbarëbotërore të ofensivës së autoritarizmit kundër demokracisë.

4) Mbështetje për revizionizmin. Ukraina është objekt i ndikimeve gjeopolitike, një fushë beteje për një shpërndarje të re të forcave dhe ekuilibrin e fuqisë. Dhe këtu është një çështje precedenti – nëse Ukraina bie (ose më mirë, Perëndimi e lë Ukrainën të bjerë), do të sjellë një 'efekt flutur'. Përfituesit e procesit tashmë janë rreshtuar - Kina, Irani, Koreja e Veriut, ndoshta India.

5) Burimet e Ukrainës. Para së gjithash, janë njerëzit – të djathtët, ortodoksët dhe rusofonët. Njerëz ku mund të rrënjosësh gjithçka që dëshiron. Së dyti, është toka, e cila nuk duket se ka rëndësi dytësore në kuadrin e dilemës së sigurisë ushqimore në të ardhmen. Dhe vetëm në fund është potenciali industrial, impiantet mbrojtëse, prodhimi i naftës dhe gazit. Natyrisht, është kritike për Ukrainën, për Rusinë është kritike ta privojë Ukrainën nga kjo, por për sa i përket Rusisë dhe qëndrimit të saj ndaj fabrikave në Donbasin e pushtuar – fati i tyre është të kthehen në skrap. Askush nuk do të zhvillojë një industri të qëndrueshme në provinca të qeverisura nga satrapë.

Pse tani?

Për sa i përket taktikave dhe kohës së sulmit, gjërat janë mirë. Rusia ka një dritare të hapur mundësish deri në prill-maj 2022, ose ndoshta pak më tej. Shantazhi i gazit në Evropë po funksionon për shkak të Yamalit jofunksional, me çmimet e naftës që thyen rekordet shtatëvjeçare. Rusia ka ‘biseduar’ me partnerët (Algjeria, Maroku) që të mos sjellë gazin e nevojshëm nga jugu edhe në Evropë. Ndërlidhësi midis Polonisë dhe Lituanisë nuk do të fillojë të punojë deri në verën e vitit 2022, për t’i sjellë Evropës energji nga Finlanda. Tubacioni i Baltikut nga Norvegjia do të nisë vetëm në tetor. Ukraina duhet të vendosë në gatishmëri luftarake sistemet e reja të raketave bregdetare Neptun në verën e vitit 2022 dhe kush e di se sa armë të tjera do t'i jepen Ukrainës deri në atë kohë. Pra, vera nuk është opsion. ‘Koha është flori’.

Kjo është veçanërisht e vërtetë kur Moska ka shpresa të mëdha për bashkëpunëtorë, dhe deputetët individualë ukrainas nga partitë pro-ruse po shtypen gjithnjë e më shumë nga autoritetet dhe paraqiten si viktima politike në kanalet ruse. Në përgjithësi, puna e komunitetit të inteligjencës është një komponent i veçantë i suksesit. Duket se ka shumë spiunë rusë të niveleve të ndryshme në Kiev dhe rajonet e synuara. Janë ata që tani kanë ndezur modalitetin e vetëkënaqësisë dhe po u thonë të gjithëve se gjërat janë në rregull, dhe është Perëndimi që po e i fryn zjarrit. Janë ata që sabotojnë përgatitjet për luftë si të tilla, duke përfshirë aparatin shtetëror dhe rezervat e ushtrisë. Një tjetër element i domosdoshëm është frustrimi i popullatës me veprimet e qeverisë aktuale. Por këtu po ecën mirë, dhe opozita patriotike është margjinalizuar aq shumë sa është bërë praktikisht ‘idiot i dobishëm’.

As reagimi i Perëndimit nuk korrespondon me shkallën e kërcënimit – Gjermania kryeson në përkrahjen qesharake për Ukrainën (‘pas helmetave, ata duhet të dërgojnë birrë në Ukrainë’), dhe simpatizuesit e Putinit po shtohen jo vetëm në Evropën Perëndimore (tradicionalisht), por tashmë kanë arritur në Ballkanin Perëndimor, përfaqësuar nga Presidenti i Kroacisë mike. Dobësia dhe pavendosmëria e presidentit amerikan Biden është aseti kryesor i Rusisë, të cilin ajo është gati ta shfrytëzojë. Perëndimi pa lidership dhe në krizë, çfarë mund të jetë më mirë për Moskën?

Argumentet ‘kundër’ dhe ‘po sikur’

Çfarë mund ta ndalë Putinin? Cilat janë argumentet kundër një ndërhyrjeje të re ruse? Le t'i konsiderojmë të gjitha. Dhe do të fillojmë me Nord Stream-2, i cili supozohet të kthehet në skrap si rezultat i sanksioneve. Pse atëherë i gjithë ky cirk ishte me ndërtimin dhe certifikimin? Ka dyshime se gazsjellësi aktualisht po e kryen funksionin e tij kryesor. Ai po përmendet si një parandalues, pasi Gjermania ka nevojë për të. Kjo është e mjaftueshme, por nëse një ditë fillon të sjellë fitime – kjo do të ishte thjesht fantastike. Për shembull, Gjermania kërkon sanksione selektive për të mos prekur sektorin e ndjeshëm të energjisë. Dhe në përgjithësi, çfarë janë sanksionet, veçanërisht ato personale, kur bëhet fjalë për një shenjë në histori? Le të ketë një Perde të re të Hekurt – le t’i ndërtojmë Kinës ‘Fuqia e Siberisë 2’. Në rast të ndalimit të importit të iPhone-ve – është Ali Express. SWIFT? Rusia do të kalojë në sistemin e saj dhe do të blejë juan në vend të dollarit. Dhe kujt i intereson që Rusia bie në një varësi jo-alternative – njerëzit mund të durojnë për hir të ëndrrës së madhe sovjetike. Sidomos oligarkët – le të vuajnë për vendin e tyre, kur ky i fundit (dhe Putin) u dha gjithçka.

Kremlini mund t’i druhet pyetjes ‘po sikur’. Çfarë ndodh nëse nuk funksionon? Nëse Rusia ngec në Ukrainë, nëse arkivolet e zinkut shkojnë në Rusi, e nëse ukrainasit nuk janë aq të trembur e të dobët sa duken sot. Nëse lufta rrufe dështon, nëse forcat pushtuese duhet të qëndrojnë atje për të luftuar partizanët.  Nëse ushtria ukrainase nuk ndahet në Donbass, por vendoset, rigrupohet dhe rrethon forcat ruse. Nëse britanikët dhe polakët (lituanezët dhe rumunët, estonezët dhe letonezët, suedezët dhe norvegjezët) nuk rrinë duarkryq dhe presin, por vijnë me brigada të organizuara të forcave të operacioneve speciale. Mos e dhëntë Zoti, pas tyre edhe NATO. Po sikur...

Çmimi këtyre pikëpyetjeve është shumë i lartë – rënia e regjimit jo vetëm në Rusi, por edhe në gjithë hapësirën ish-sovjetike. Më pas vjen ndarja e Rusisë, një paradë pavarësie e subjekteve të ish-Federatës. Dhe pastaj është reagimi i panjohur i Kinës dhe i të tjerëve për këtë. Dhe kjo ‘nëse’ po e gërryen vërtet Putinin dhe kohortën e tij. Edhe pse marazi i moshës i kombinuar me këmbënguljen foshnjarake ndonjëherë mund të jetë më i fortë.

Dy skenarë të këqij

Çfarë do të ndodhë? Ukraina ka dy skenarë të këqij – njëri prej të cilëve është tmerrësisht katastrofik, megjithëse me një fije shprese ‘po sikur’. Është luftë – luftë për pavarësi, luftë për të drejtën për të ekzistuar si vend politik. Ndoshta lufta me humbjen e territorit dhe krijimin e një paraleleje Ukrainë Sovjetike – Malorusi, duke u bashkuar me CSTO dhe BRSS 2.0.

Skenari i dytë është shkatërrimi i Ukrainës së sotme. Asnjë perspektivë për anëtarësim në NATO dhe BE është në fakt një skenar vdekjeje i ngadaltë, një përthithje nga Rusia, e zgjatur në kohë. Në të vërtetë, elektorati aktiv pro-rus do të vdesë, por kush do të vijë ta zërë vendin e tij? Migrimi nga shteti do të arrijë përmasa të papara. Ukraina, e privuar nga vektori i saj civilizues i zhvillimit, do të bëhet një zonë gri, e kontrolluar nga oligarkët dhe shërbëtorët e tyre politikë. A ka ndodhur vërtet diku kjo?

Nuk na mbetet shumë kohë për të parë se ku do të na çojë kurba aktuale e historisë. Ukraina patjetër duhet të kishte mbledhur një ‘koalicion të lirisë’ pak kohë më parë, për të bindur të gjithë se problemi me këtë konflikt nuk është se po shpaloset në Ukrainë, por se të gjithë do të vuajnë pasojat. Përveç atyre që përfitojnë prej tyre. Dhe duhet një vullnet i hekurt dhe mjekra prej çeliku e Perëndimit kolektiv për ta parandaluar këtë – Putin thotë të mos e fusim Ukrainën në NATO, por ne e bëjmë. Putini thotë tërhiqni trupat, por ne vendosim një bazë ushtarake pranë Harkovit. Dhe pa lëshime, pa gërvishtje, pa ndërtim urash! Për marrëzinë e trimave... Fatkeqësisht, nuk duket shumë realiste.

Humbja e Ukrainës do të ishte një varrim ceremonial i regjimit të mospërhapjes bërthamore – Memorandumi i Budapestit është tashmë një lloj mallkimi në diskursin politik ndërkombëtar dhe do të përkeqësohet. Do të ketë një reaksion zinxhir në mbarë botën. Tërmeti duhet të përfundojë me zhdukjen e sistemit ekzistues të marrëdhënieve ndërkombëtare, të mishëruar nga Karta e OKB-së. Në vend të tij patjetër do të ketë diçka tjetër. Pyetja është nëse do të ndodhë para apo pas dimrit bërthamor.