Egnatia dhe Dinamo ndajnë nga 1 pikë mes tensionit në Rrogozhinë

Nisi mjaft keq sfida për Egnatian në shtëpi ndaj Dinamos, duke qenë se rrogozhinasit mbetën me 10 vetë pas daljes me karton të kuq të Gëzim Krasniqit, i cili gaboi në një ndërhyrje në hyrje të zonës ndaj Patrik Bardhit.

Sikur të mos mjaftonte ky penalizim, Egnatia nga kjo goditje dënimi pësoi golin.

Agim Ibraimi ekzekutoi në perfeksion goditjen e dënimit duke mposhtur Pujën që nuk mund të bënte asgjë për të shmangur golin.

Në vazhdim, rrogozhinasit provuan të reagonin me anë të Ademit dhe Maganit, megjithatë blutë rezistuan.

Ndërkaq, në minutën e 35-të, Egnatia pretendon për një penallti pas prekjes së topit me dorë nga ana e Samake, megjithatë arbitri Enea Jorgji vijoi lojën përtej protestave të vendasve.

Sakaq, ky episod rëndoi nervat e tifozëve në “Arena Egnatia”, të cilët në përfundim të pjesës së parë, kontestuan ashpër ndaj Jorgjit duke mos rezervuar edhe goditjet me sende të ndryshme.

Madje, fillimi i pjesë së dytë u vonua me 15 minuta për shkak të tensioneve që vinin nga tribuna.

Gjithsesi, pjesa e dytë rifilloi, ndërsa vendasit ndryshuan fytyrë, ndërsa edhe pse me 10 vetë gjetën forcën për të reaguar dhe për të shënuar golin e barazimit.

Samake gabon, ndërsa nga ana tjetër, përfiton Ademi që mposht portierin Simoni.

Në vazhdim, të dyja palët e kërkuan fitoren teksa nuk munguan rastet për Denisson, Imerin apo edhe Pedro Auguston, megjithatë pas më shumë se 100 minutash të luajtura ndeshja u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1.

Kështu, Egnatia mbetet në vendin e nëntë me 16 pikë, ndërsa Dinamo shkon në kuotën e 19 pikëve dhe mban vendin e gjashtë në renditje.