SPAK kërkon 12 vite burg për Tahirin, Gjykata cakton datën: Ja kur do të jepet vendimi për ish-ministrin

Përfundon seanca në Apelin e GJKKO për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. 

Seanca e radhës e Gjykatës së Posaçme të Apelit do të zhvillohet më 4 shkurt ora 13:00 kur edhe pritet të jepet vendimi.  

Prokurorët e SPAK kërkuan dënimin e Tahirit me 12 vite burg, por duke qenë se gjykimi është bërë me procedurë të shkurtuar, i kërkuan që të ulet edhe 1/3 e dënimit, duke kërkuar një dënim përfundimtar prej 8 vitesh burg. 

Ish-ministri i Brendshëm akuzohet për favorizim të trafikut të drogës. 

I njëjti dënim është kërkuar edhe për Jaeld Çelën.

Saimir Tahiri pretendoi se nuk qëndron asnjë prej akuzave të ngritura kundër tij, duke thënë se nuk ka pasur asnjë kontakt me anëtarët e grupit të Habilajve.

Ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.

Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.

Njoftimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit
“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, çështja në ngarkim të të pandehurve S.T. dhe J.Ç., e regjistruar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 24.11.2021, me nr. 47 regjistri themeltar,u shqyrtua sot më 31.01.2022.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, nisur nga kompleksiteti i çështjes, gjykata shtyu shpalljen e vendimit në datë 04.02.2022, ora 13:00″.