VIDEO-SYRI TV/ Shqipëria nuk thith investime, vendi me më pak biznese të huaja në rajon

Indeksi Global i Mundësive për vitin 2022, e rendit Shqipërinë si një nga vendet që tërheq me pak investitorë të huaj në rajon. Raporti i realizuar nga agjenci të Shteteve të Bashkuara të Amerikës thekson se shkak për këtë situatë janë shërbimet e dobëta financiare dhe mungesa kuadrit ligjor.

Nga SYRI TV

Shqipëria renditet si vendi që tërheq më pak investitorë të huaj në rajon.

Konstatimi u bë nga Indeksi Global i mundësive për vitin 2022, i cili rreshton si pengesa kryesore, për këtë tregues, shërbimet e dobëta financiare të qeverisë, dhe kuadrin ligjor, që pengon klimën e të bërit biznes në vend.

Në krahasim me vitin e kaluar, Shqipëria renditet 12 vende më lart, e megjithatë, nuk janë marrë masat e duhura, për thithjen e investitorëve të huaj.

Të vetmet pikëzime pozitive në këtë indeks global, ka shënuar perceptimi i biznesit mbi masat, kufizimet dhe zgjidhjet e mosmarrëveshjeve.

Në raportin e 2021, Shqipëria renditej e 78 në nivel botëror, ndërsa këtë vit e 66, por sërish, lë pas, vetëm Bosnjë-Hercegovinën, që zë vendin 97.

Mungesa e investimeve të huaja, është një shqetësim i hershëm në vendin tonë, i ngritur nga ekspertët, por qeveria nuk ka refuzuar te marrë parasysh rekomandimet.