Kërcimi fantastik i profesorit kosovar në rrjete sociale, që fashiti edhe vizitën e Eskobarit dhe Lajçakut

Bullizmi si fenomen shoqëror po bëhet gjithnjë e më shqetësues në vend. E personi i cili po e vuan këtë bullizëm kësaj radhe, është një profesor nga qyteti i Vushtrrisë, i cili ka pasion vallëzimin e valleve tradicionale, shkruan Syri.net Kosova.

Profesori u bë i famshëm për videot e tij në rrjete sociale duke vallëzuar valle tradicionale, por që iu kthyen në bullizëm, zinxhir të cilin e nisi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, e cila i gjykoi si të pahijshme dhe degjeneruese, vallëzimet e Lulëzim Pacit, që me profesion është mësimdhënës.

Profesori Paci gjatë ditës së sotme në një emision ka rrëfyer pasojat që pati, pasi shprehu pasionin e tij për vallëzimin. Thotë se është sharë dhe ofenduar, prandaj i ka kërkuar vëllait të distancohet prej tij, nëse ndihet i turpëruar. “I thashë vëllait tim, nëse të pyesin se çfarë e ke Lulzim Pacin, thuaj kushëri! Mos i thuaj vëlla”, tha profesori dhe pas kësaj nisi të qajë.

Reagimet ndaj tij nisën ditë më parë, ndërsa në mesin e gjykuesve hyri edhe deputetja nga Vushtrria, Fjolla Ujkani, e cila edhe vet "ia huqi" fort me citimin e Naim Frashërit në thënien e dikujt tjetër.

Por pas rrëfimit të profesorit, kanë nisur reagimet ndaj atyre që linçuan dhe ofenduan profesorin, përfshirë edhe deputeten Ujkani.

Aktivistja Neri Ferizi, i ka kërkuar deputetes që t’i kërkojë falje publike profesorit. “Fjolla Ujkani ish dashtë me i kërku falje profesorit për linçimin publik pa pikë nevoje.Pse nuk po reagon për shumë ngacmime seksuale që ndodhin përditë nëpër shkollat tona? – që jam shumë e sigurt që ju i dini shumë mirë edhe emrat e profesorëve që ngacmojnë në shkolla”, ka shkruar Ferizi në Facebook.

Ndërsa shkrimtari Azem Deliu ka shkruar se “Kjo shoqëri nuk turpërohet me arsimtarët që e mendojnë dhunën si disiplinim ndaj nxënësve, nuk turpërohet me profesorë injorantë që s’dinë kur kanë lexuar për herë të fundit, por i hidhet në qafë dikujt që ka vallëzuar”.

Ndërkohë, Agron Demi e ka cilësuar bullizmin si strategji të medieve. “Bullizmi si strategji e mediave. Sa e sa raste, mediat kane shku dhe kane gjete persona teresisht privat, i kane vu para kameres, dhe i kane ekspozu per te gjithe per me i fy nje vend i tere? Edhe asnje rast nuk eshte denu prej Komisionit te Pavarur te Mediave. E te njejten gjuhe e sjellje e ke edhe ne debate televizive, perveqse aty bullistat edhe paguhen me pare. E gerrditshme e e rrezikshme”, ka shkruar Demi.

E Daut Bikliqi i ka bërë një thirrje deputetes Ujkani, që ta ngrejë zërin për keqtrajtimet dhe ngacmimet seksuale që bëhen në shkolla dhe jo për një vallëzim që sipas tij s’ka asnjë të keqe. “Po cka ka t'keqe more me vallezu, cfare degjenerimi eshte vallezimi? Ngriheni ju deputete e nderuar Fjolla Ujkani, zerin bashke me gjithe deputetet tjere,per keqtrajtimet e ngacmimet seksuale qe behen neper shkolla”, shprehet ai.

Sipas Paulina Nushi- Muhaxhiri bullizmi është një prej formave ma të poshtra për me lëndu dikënd sikurse profesori në fjalë. “Njerëzit janë të ndryshëm, ndryshe e shohin dhe pranojnë gjykimin e masës. Prandaj bullizmi është një prej formave ma të poshtra për me lëndu dikënd si ky profesori që përnime kurgjo t'keqe s'ka bo e aq shumë u gjyku. Unë për veti e shumë njerëz me gjykimin tem tybe veç ma shumë ja kishim thanë kangës e valles ? Ani kur komentojnë disa që moral shesin e moral nuk kanë”, thotë ajo në një reagim.

Derisa aktivisti, Egzon Azemi e quan poshtërsi gjithë situatën e ndodhur me profesorin. Ai shprehet se kur nuk bëhet skandal lirimi nga akuza pa asnjë dënim i të akuzuarve në rastin printo, skandalizohet shoqëria me raste të shpikura.  Sipas tij disa të ashtuqujtura media dhe persona publik kanë gisht në këtë ngjarje dhe për pasoja eventuale do duhej të ndiheshin përgjegjës

“Është poshtërsi çka ndodhi me mësimdhënësin nga Vushtrria. Paragjykime të shumta për çdo veprim. Skandalizohet një video vallëzimi e një profesori. E nga gjithë këto krekosje idiote, shpërthen në lot në mes të emisionit një përson që realisht asnjë dëm nuk i ka shkaktuar askujt. Tregon së është detyruar ti thotë vëllaut të tij, që mos ta pranoj se e ka vëlla por kusheri!!Pse e gjithë kjo? Sepse komentues koti, bullizojnë profesorë, e vlerësojnë bullizues. Kur nuk bëhet skandal lirimi nga akuza pa asnjë dënim i të akuzuarve në rastin pronto. Skandalizohet shoqëria me raste të shpikura. Disa të ashtuqujtura media dhe persona publik kanë gisht në këtë ngjarje. Dhe për pasoja eventuale do duhej të ndiheshin përgjegjës”,nënvizoi ai.