Leskaj: PD sot dhe Shqipëria nesër gati për një model të ri politik

Deputeti i PD-së Bujar Leskaj, me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook” ka komentuar primaret e zhvilluara sot në PD, në 6 bashki të vendit.

Leskaj thekson se PD sot dhe Shqipëria nesër janë gati për një model të ri politik.

Deklarata e Bujar Leskajt:

Sot në Partinë Demokratike, qoftë edhe pjesërisht, janë votuar kandidatët për kryetarë bashkie, sipas modelit të primareve. Procesi i qetë, demokratik dhe i qytetëruar i këtyre zgjedhjeve dëshmoi se PD sot dhe Shqipëria nesër janë të gatshme që ta përqafojnë një model të tillë dhe një kulturë të tillë politike, e cila nisi në vitet 1991, 1992, por humbi rrugës.

Koncepti i primareve aplikohet gjerësisht në demokracitë perëndimore, pasi primaret dëshmojnë për forcën e jashtëzakonshme reformuese e ndryshuese konkurenca e fortë dhe e hapur në partitë politike.

Sot, në 2022 Partia Demokratike bën një hap të madh, hapin e vlerave duke iu rikthyer realisht premtimit të garës së lirë brenda partisë, garës demokratike dhe vetë vlerave e potencialeve që partia u ofron anëtarëve të saj, qytetarëve e shoqërisë: të sistemit konkurrues të demokracisë funksionale e të drejtpërdrejtë ku vota e çdo demokrati sot dhe e çdo shqiptari nesër ka vlerë.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se sot Partia Demokratike duhet të votonte e bashkuar kandidatët e saj, në mënyrë që të zgjidhte kandidatin më të mirë.

Kundërshtari ynë i vetëm është një dhe vetëm një: Edi Rama dhe sekti i tij!

Me natyrën e tyre klienteliste partitë dhe politika në Shqipëri e kanë keqpërdorur pushtetin, duke shkatërruar atë ëndërr të shqiptarëve, e cila në vitin 1991 ishte për një sistem të hapur, demokratik, konkurues e funksional.

Të mos zgjidhesh nga populli do të thotë të mos ia dish për popullin.

Primaret garantojnë një demokraci ku anëtarët e partisë zgjedhin përfaqësuesin e tyre; një vend ku populli zgjedh vetë përfaqësuesit e tij duke i dhënë realisht vlerë votës dhe demokracisë.

Zhvillimi i primareve sot nga Partia Demokratike për zgjedhjet e pjesshme bashkiake është një zhvillim shumë pozitiv, i cili, natyrisht duhet të shoqërohet me disa hapa, të cilat duhet të garantojnë jo vetëm suksesin, por edhe vazhdimësinë:

- Zhvillimi i primareve me debat konstruktiv

- Votojnë veç anëtarësisë edhe ajo pjesë e anëtarësisë, e cila nuk kryen jetë partiake, pjesa qytetare e shoqërisë sonë, e angazhuar apo jo në politikë, por e angazhuar në jetën qytetare nëpërmjet organizatave joqeveritare, shoqërisë civile, etj.

- Zhvillimi i primareve duhet të përfshijë jo vetëm kryetarët e partive, por edhe deputetët, kandidatët për kryetarë bashkie; anëtarët e këshillave bashkiakë, etj.

- Natyrisht që hap i rëndësishëm i primareve duhet të jetë produkti përfundimtar në parti: BASHKIMI. Në fund duhet të jenë të gjithë bashkë.

Të gjithë bashkë për fitoren! [✌️] [✌️] [✌️] [✌️] [✌️] [✌️] [🇦🇱]