Organizatat Ndërkombëtare: Portalet në Shqipëri nën sulme kibernetike, pas lajmeve për Erion Veliajn

Katër organizata ndërkombëtare të lirisë së shprehjes kanë reaguar pas sulmeve kibernetike ndaj mediave online në Shqipëri, të njohura si kritike ndaj qeverisë. 

Organizatat Partnerët në Reagimin e Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) janë të shqetësuar për zhvillimet e javës që po mbyllet në Shqipëri.

Sulmet kibernetike ndaj organeve të lajmeve që besohet se kanë të bëjnë me raportimin e tyre për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe emërimin e besnikut të qeverisë Endri Fuga për të drejtuar Agjencinë e Medias dhe Informacionit iu shtohen sfidave ekzistuese për lirinë e medias në vend.

Sulmet kibernetike
"Duke filluar nga 24 janari, disa media online u shënjestruan nga sulmet kibernetike të mohimit të shërbimit (DDoS), duke vështirësuar hyrjen në faqet e tyre në internet. RTV Ora, Lapsi.al, Doja.al, Syri.net, Maska.al, Gijotina.al, Faktor.al dhe SportEkspress ishin ndër mediat e prekura. Edhe pse ende nuk janë paraqitur prova konkrete, mediat besojnë se sulmet janë të koordinuara dhe të lidhura me raportimin e tyre për një mosmarrëveshje të vazhdueshme që përfshin Veliajn", shkruajnë organizatat në letrën e hapur të publikuar online.

Ai akuzohet se ka kërcënuar anëtarët e bordit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) përpara votimit për kreun e organit drejtues të futbollit. Faqet e synuara publikuan të gjitha një regjistrim audio në lidhje me zgjedhjet e FSHF-së.

"Në regjistrim dëgjohet Veliaj duke përdorur sharje, gjuhë të ashpër dhe kërcënime në një përpjekje të dukshme për të ndikuar në votën e ardhshme në favor të kandidatit të tij të preferuar. Veliaj ka konfirmuar autenticitetin e regjistrimit, por ka thënë se duhet marrë në kontekst. Zëdhënësi i tij tha se ishte thjesht "bisedë mes djemsh". Presidenca e Federatës është nominalisht një pozicion jopolitik; megjithatë, shumica e ekipeve të futbollit në Shqipëri janë në pronësi të bashkive lokale, kryetarët e të cilave votojnë në zgjedhje". 

"Ne bëjmë thirrje për një hetim të shpejtë dhe efektiv për këto sulme kibernetike. Sulmet DDoS përbëjnë një kërcënim të rëndësishëm për lirinë e medias, pasi ato parandalojnë shpërndarjen e informacionit, çka përbën censurë të drejtpërdrejtë dhe shtojnë presionet financiare mbi mediat e prekura".

Dyshime për paanshmërinë e Agjencisë së Medias dhe Informacionit
"Përveç kësaj, ne dënojmë emërimin e Fugës në krye të Agjencisë së sapokrijuar të Medias dhe Informacionit (AMI), e cila centralizon kontrollin mbi marrëdhëniet publike të qeverisë brenda një entiteti të vetëm. Dje, pas një kërkese për informacion nga BIRN Albania, qeveria konfirmoi se Fuga u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së re me Urdhër të Kryeministrit nr. 96, datë 29 shtator 2021. Fuga ka qenë më parë zëdhënës i kryeministrit Edi Rama.

Emërimi i tij në rolin e ri, i cili ka një status të barabartë me atë të një ministri të qeverisë dhe vjen me kompetenca të gjera, përkeqëson dyshimet ekzistuese për pavarësinë dhe paanshmërinë e AMI-t dhe frikën se mund të instrumentalizohet për të kufizuar qasjen e gazetarëve në informacionin publik. 

Vendimi për vënien në funksion të AMI-t është një hap i rëndë prapa për transparencën qeveritare në Shqipëri. Ripërsërisim thirrjen tonë për vendosjen e masave më të mëdha mbrojtëse për të garantuar funksionimin e drejtë dhe transparent të Agjencisë, aq më tepër pas konfirmimit publik të emërimit të Fugës si Drejtor i Përgjithshëm i saj".

Nënshkruar:
European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF) 
Free Press Unlimited (FPU)
International Press Institute (IPI)
OBC Transeuropa (OBCT)