ZKM mban peng diplomat, studentët nuk marrin dot licencën

Studentët e Farmacisë në Universitetin Zoja e Këshillit të Mirë, prej tre vitesh nuk kanë arritur të marrin diplomën edhe pse studimet i kanë përfunduar. 

Denoncimi ka mbërritur në redaksinë e Syri.net nga vetë studentët të cilët pohojnë se pavarësisht ecejakeve, sa në Ministrinë e Arsimit sa në Universitet, sërish nuk kanë arritur të zgjidhin asgjë. 

Mungesa e diplomës i pamundëson ata që të marrin licencën dhe për rrjedhojë nuk mund të punësohen. 

Nga ana tjetër ata denoncojnë edhe një fakt tjetër duke hedhur dyshime brenda Universitetit, pasi studentët e diplomuar nga viti 2019 e deri në 2021, ndonëse nuk disponojnë një diplomë në dorë, janë regjistruar në provimin e licencës në Itali, pasi fillimisht janë pajisur me vërtetim nga Urdhri i Farmacistëve dhe janë punësuar. 

Kjo ngjarje në nëntor 2021 korrespondon njëkohësisht dhe me një grup studentësh që nuk u lejuan të futen në provimin e licencës në Itali dhe përgjigjja që iu është kthyer ka qenë me shkrim: 'Ju rezultoni të padiplomuar në Shqipëri'

Ndërkohë, në Ministrinë e Arsimit në Shqipëri, akreditimi ka përfunduar në korrik 2021 dhe ende nuk është rinovuar. 

Studentët pohojnë se kanë prova dhe akuza që rëndojnë figurën e një përfaqësuesi të lartë të administratës i cili ka pranuar se ka bërë marrëveshje nën dorë me Urdhrin e Farmacistëve në Shqipëri dhe ka studentë që punojnë pa diploma e me licencë të falsifikuar. 

Studentët kanë publikuar edhe kontratën që kanë firmosur me Universitetin Zoja e Këshillit të Mirë në nisje të studimeve universitare. 

Nisur nga kjo situatë dhe pas insistimit të vazhdueshëm të studentëve, Rektorati i Universitetit Katolik Zoja e Këshillit të Mirë ka caktuar në datën 2 shkurt një takim me studentët e Farmacisë që kanë përfunduar studimet, dhe që nuk janë pajisur me diploma.