Zgjedhjet për president në Itali, Kepi: Ka përçarje mes dy kampeve, është fuqizuar emri i Mario Draghit

Gazetarja Alba Kepi, e cila jeton në Itali, në një intervistë me Skype nga Roma, me moderatoren Armela Ferko në Syri Tv, ka komentuar zgjedhjet për president të Italisë.

Kepi theksoi se ka përçarje e zemërim mes dy kampeve politike, duke shtuar se është fuqizuar emri i Mario Draghit.

“Është fuqizuar emri i Mario Draghit. Ndoshta Draghi do kërkohet që të zgjidhë këtë ngërç të madh të Italisë, do i kërkohet ta zevëndësojë Matarellën. Ka zemërim dhe përçarje mes dy kampeve politike. Politikës italiane i mungon stabiliteti, sepse vetëm në kohën që Matarela ka qenë president, kanë ndryshuar katër qeveri. Përceptimi është se Italia kërkon zgjidhje nga teknikët, që nuk janë politikanë të mirfilltë, po kërkohet e njëjta zgjidhje për teknik.

Partitë e djathta kanë shumicën e votave dhe qeverisin koalicionin qeverisës, ata kërkojnë që emri të dalë nga kjo shumicë qeverisëse, kurse qendra e majtë kërkon që presidenti duhet të jetë e pranuar nga të gjitha palët. Një emër nga Forza Italia nuk u pranua. Në shumë raste, emri i presidentit ka kaluar në disa site, në disa votime. Presidenti nuk është vetëm figurë simbolike, por është figurë që ka në dorë edhe fatet e qeverisë, prandaj loja është e fortë”, deklaroi Kepi.