Në prag të pushtimit të Ukrainës, Putin shfaq imazhin e rremë të Rusisë dhe trazon Italinë: Po bëjmë biznes!

Në prag të një agresionit të mundshëm ndaj Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin tenton të shfaqë një tjetër fytyrë të Rusisë në raport me perëndimin.

Propaganda e Kremlinit është e fokusuar krejtësisht në kah të imazhit të paqtë dhe atë të viktimizimit të Moskës, e cila siç duket po i shërben justifikimit të ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë. Dhe kjo, pavarësisht qëndrimit të BE dhe SHBA se pasojat do të jenë të rënda për Rusinë, nëse pushton fqinjin e saj. 

Gazetari italian Gialuca Paolucci për ‘La Stampa’ ka zbërthyer në detaje takimin në Zoom mes Vladimir Putin dhe përfaqësuesve të biznesit italian, ndër to edhe kompani të fuqishme. Ndër kompanitë e njohura që kanë marrë pjesë në takimin e presidentit rus është edhe kompania e ENEL (Kompani distributore e gazit dhe elektricitetit).

Francesco Starace, pronar i ENEL

Gjithashtu ka tensione edhe mes CEO-s së ENEL, Francesco Starace dhe Qeverisë së Mario Draghi i cili i kishte kërkuar kompanive të biznesit të mos i bashkohen takimit në ZOOM me Putinin, të cilin e ka konsideruar si të papërshtatshëm në një kohë kur ka tension mes Rusisë dhe Ukrainës. 

CEO i ENI-t (Kompani distributore e gazit dhe elektricitetit) e ka pranuar kërkesën e Draghi-t për bojkot, ndërkohë që Starace (CEO i ENEL) e ka refuzuar duke thënë se kishte dhënë fjalën për pjesëmarrje si dhe, i duhet të mendojë për interesat e kompanisë së tij. Francesco Starace është vëllai i Giorgio Starace, ambasador i Italisë në Rusi. 

Giorgio Starace, ambasador i Italisë në Moskë, vëllai i Francesco Starace

Në Itali ka plasur debati, mes atyre që mbështesin biznesin me Kremlinin, sidomos në fushën e energjisë dhe skeptikëve që rikujtojnë paralajmërimet e perëndimit për Putin dhe Rusëni, pas çdo dite që rriten tensionet në kufirin me Ukrainën.

Artikulli i plotë

Gialuca Paolucci për ‘La Stampa’
Videokonferenca e djeshme mes Vladimir Putin dhe drejtuesve të lartë të kompanive italiane u vendos më 6 dhjetor, gjatë takimit mes ministrit të Jashtëm Italian, Luigi Di Maio dhe ministrit rus të Industrisë, Denis Manturov. 

Një nga dy organizmat që u mor me organizimin – Komiteti i sipërmarrjes italo-ruse (CIIR) – është një organ dypalësh i lidhur ngushtë me dy qeveritë: përbërja aktuale u krijua me një dekret ministror të 21 shtatorit 2020, i nënshkruar nga vetë Di Maio, i cili përcakton zonat dhe metodat e funksionimit. 

Neni 3 i dekretit përcakton se “për veprimtarinë organizative dhe zhvillimin e eventeve, bashkëpresidenti do të mund të shfrytëzojë bashkëpunimin e Ambasadës italiane në Rusi, të agjencisë ICE, të Konfindustrisë dhe Dhomës së Tregtisë italo-ruse. 

Synimi, shpjeguan burimet e pyetura, ishte të përsëritej modeli i Francës dhe Gjermanisë në marrëdhëniet ekonomike me Rusinë. Nuk është rastësi që një takim i ngjashëm u mbajt në pranverë – kur tensioni mbi Ukrainën ishte dukshëm më i ulët – me kompanitë franceze. 

E mjaftueshme për ta shtyrë këtë histori edhe një hap më tutje, veçanërisht pasi dje nga Brukseli theksohej se takimi ishte “i papërshtatshëm”, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi për La Stampa se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara gjerësisht në diplomaci me aleatët dhe partnerët e tyre, duke përfshirë Italinë, të bashkuar për përballimin e agresionit rus kundër Ukrainës.  

Dhe Banka Qendrore Europiane paralajmëroi institucionet financiare europiane që të “përgatiten” për vendosje sanksionesh kundër Moskës. E gjitha kulmoi me ndërhyrjen e Pallatit Chigi (selia e qeverisë italiane) që u kërkoi kompanive publike të mos paraqiteshin në takim. Një thirrje që solli si reagim braktisjen e takimit nga Eni dhe Saipem, ndërsa Francesco Starace i ENEL mori pjesë. 

Pra, kompanitë u lanë të lira të vepronin në një kohë thuajse të trishtë për krizën ukrainase dhe në momentin e fundit u tërhoqën nga një kërkesë e pajustifikuar e Romës. 

Kështu, mëngjesin e djeshëm, në dy hotele në qendër të Milanos dhe Romës, u takuan drejtuesit e lartë të 16

kompanive italiane kryesore: Pirelli, Unicredit, Barilla, Cremonini, Danieli, Coeclerici, Generali, Intesa Sanpaolo, Maire Technimont, plus përfaqësuesit e Konfindustrisë ruse, Gimn Unimpresa dhe Dhoma Italo-Ruse e Tregtisë. 

Delegacioni rus përfshinte ministrat e Industrisë, zhvillimit ekonomik, Financave, Shëndetësisë, Bujqësisë, Transportit dhe Energjisë, si dhe Igor Sechin, numri një i Rosneft, Kiril Dmitiev i fondit shtetëror RFDI dhe Dmitrij Konov, numri një i Sibur dhe bashkëpresident i komitetit të sipërmarrjes italo-ruse CIIR. 

Në fjalën e tij, transmetuar dhe shpërndarë gjerësisht në mediat pranë Kremlinit, Vladimir Putin nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe dhe rolin e Rusisë si një partner “i besueshëm” për furnizimet me gaz që garanton “çmime më të ulëta” për kompanitë italiane. Ndër pyetjet që nisën pas përfundimit të konferencës në Zoom, sipas asaj që u tha, nuk u përmend asgjë për tensionet ndërkombëtare dhe krizën ukrainase, as për kërcënimin e sanksioneve të reja të SHBA-së dhe BE-së kundër Moskës. 

I vetmi aludim, një pyetje rreth mundësisë për të investuar tani në Rusi, duke pasur parasysh kontekstin politik aktual, u likuidua me nxitim nga Putin kur tha: “Ne nuk na inereson konteksti, ne jemi këtu për të folur për biznes”. 

Starace, i vetmi menaxher publik i mbetur pas ‘dezertimit’ në momentin e fundit të Eni dhe Saipem (ndërsa Snam kishte komunikuar tashmë pamundësinë për të marrë pjesë përpara se të shpërthente debati), i kërkoi Rusisë objektiva më ambicioze për dekarbonizimin (uljen e ndotjes në atmosferë). Duke i dhënë një ndihmë Putinit, i cili u përgjigj duke sulmuar BE-në, duke shpjeguar se modeli rus parashikon një menaxhim të arsyetuar të tranzicionit ekologjik, ndërsa Brukseli “do të paguajë pasojat” e zgjedhjeve të gabuara politike për këtë argument. 

Videokonferenca përfundoi pas orës 14:00. Sikleti i shumë njerëzve, brenda dhe jashtë godinave politike, jo.

Artikulli i La Stampa

Në gjithë këtë përplasje të politikës italiane, por edhe komunitetit të biznesit, duke qenë se një nga kompanitë superfuqi të energjisë, ENEL, iu bind Putinit, ka të dhëna se pas saj (ENEL) qëndron Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme italiane (me ministër Luigi Di Maio), Ettore Sequi, ish-kreu i delegacionit të BE në Tiranë (2011-2014). 

Diplomati italian, Ettore Sequi njihet edhe mik i kryeministrit Edi Rama.